Nallbani: Mema i ka ndryshuar mentalitetin Tiranës, mungonte besimi

0

Një nga legjendat bardheblu në historinë e Tiranës, Blendi Nallbani, për SportEkspres.com analizon situatën te kjo skuadër, duke sjellë si argument përmirësimin e anës psikologjike pas ndryshimit të trajnerit. Ndërsa për ecurinë e kësaj skuadre në kampionat e Kupë, Nallbani e shikon në rritje në ndeshjet e kampionatit, ndërsa Kupën e mendon si trofeun më të mundshëm në këtë sezon.

Në këndvështrim i tij, ish-portieri i Tiranës, Partizanit e Kombëtares, mendon se rivaliteti në 16 ndeshjet e mbetur ta kampionatit do të jetë i madh te të gjitha skuadrat. Këtë ai e mbështet jo vetëm te situata që skuadrat kanë në renditje dhe te synimet e tyre, por edhe te mundësitë reale që ato kanë. Nga kreu, në fundin e renditjes, Nallbani parashikon një luftë sportive pa kompromis.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Tirana në kampionat dhe Kupë, si e përshkruani situatën në ndeshjet e luajtura gjatë muajit janar?
-Vetë rezultatet që ka arritur Tirana në të dy kompeticionet, kampionat dhe Kupë, tregojnë ndryshim cilësor të saj. Në gjysmën e parë të këtij sezoni nuk ishin shprehur plotësisht vlerat e skuadrës, ndoshta edhe nga ndryshimi i trajnerëve që u bë në mesin e kampionatit.

Me ndryshimin e trajnerit, çfarë mendoni se ka ndryshuar te Tirana në këtë periudhë?
-Ekipi i Tiranës ka në përbërje shumë lojtarë cilësorë, por skuadrës më parë i ka munguar besimi te vetvetja për rezultate më të mira. Këtë mendoj se e ka rikthyer mentaliteti bardheblu i trajnerit Ardian Mema, të cilin e veçoj si pozitiv në ndryshimin që ka bërë te skuadra në këtë tregues.

Mendoni se shkaqet e situatës së Tiranës kanë qenë edhe në marrëdhëniet financiare, apo edhe në të tjera probleme me klubin?
-Unë kam informacionin e plotë se në anën financiare skuadra nuk ka patur probleme. Nëse ka ende një muaj pa u shlyer, kjo ndodh kudo në çdo fillim viti. Gjithsesi, unë mendoj se problemi kryesor te Tirana ka qenë ana psikologjike pas rezultateve jo të mira në fillimin e sezonit.

Ku e mendoni Tiranën më të mirë në këtë sezon, në Kupë apo në kampionat?
-Në të dy kompeticionet unë mendoj se Tirana ka qenë në rritje graduale. Në kampionat besoj se do të ecë mirë dhe me këtë paraqitje duket se do ta synojë edhe zonën për një vend në Europë. Nërsa Kupa është trofeu i vetëm që Tirana këtë sezon mund ta ketë më pranë.

Po Superioren në tërësi, si e lexoni nga kreu në fundin e renditjes?
-Skuadrat janë në renditje për atë që kanë dhënë në këto 20 javë. Nisur nga fundi, ato nuk janë shprehur plotësisht në vlerat e tyre. Kamza ka diçka që po e pengon, Luftëtari e Kastrioti kanë ndryshim pozitiv pas trajnerëve të rinj, ndërsa Flamurtari po ndikohet ende nga psikologjia e kaluar.

Për kreun e renditjes, mendoni se gjithçka mes Partizanit e Kukësit do të jetë në rivalitet deri në fund?
-Edhe mund të ndodhë kështu, sepse rivaliteti e bën edhe më të bukur luftën për titullin kampion. Por Partizani duket më i qëndrueshëm në rezultate, ndërsa Kukësi po bind më shumë me lojën. Mes këtyre dy treguesve do të kemi skuadrën kampione në këtë sezon. Gara mes tyre mbetet e hapur.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.