Raxha Naingolan ka lindur në Antuerp të Belgjikës, me një nënë belge dhe baba indonezian. Fëmijëri e vështirë dhe shumë vuajtje, por Raxha ia ka dalë mes akrificave të shumta. Ai është një person i pastër, i thjeshtë dhe i sinqertë, të cilin mund ta shohësh në çdo cep të qytetit, duke bërë pazarin në supermarket, apo duke konsumuar cigaren e tij të preferuar.
Mamaja e tij është larguar nga jeta para disa kohësh, por ajo mbetet një frymëzim për mesfushorin e Interit. 30-vjeçari nuk i harron kurrë sakrificat e saj, ndërsa tani bën të pamundurën për t’i lumturuar dhe ofruar një jetë cilësore të dashurve të tij. Naingolan nuk e fsheh origjinën e tij, ndërsa zbulon dhe një sekret sa i përket motrës binjake, Rainas.
JASHTË FUSHAVE – “Unë e konsideroj veten një person normal dhe jo një djalë i keq siç më etiketojnë. Nuk arsyetoj si një futbollist, ose personazh publik. Unë mund të eci në lagjet më të këqija dhe të jetoj normalisht. Unë mund t’i pranoj favoret që u bëhen futbollistëve, por kjo nuk është diçka që e kërkoj. Bëj pazarin në supermarket, mund të pi një gotë dhe të ndez një cigare pa u fshehur. Edhe një futbollist mund të pijë cigare, nëse ai nuk bën një punë normale. Nëse i fshihesh një gjëje të tillë, do të thotë që u fshihesh dhe gjërave të tjera. Ky nuk është stili im i jetesës.”
ORIGJINA – “Jam krenar për origjinën time, edhe pse nuk ka qenë e lehtë. Gjithashtu, për shkak të babait tim. I dhashë një mundësi të dytë kur shkova në Indonezi, por gjërat nuk shkuan mirë. Nuk kam shumë lidhje me Indonezinë, por nuk e mohoj origjinën time. Ndihem më shumë nga Antuerp dhe italian si futbollist, në aspektin tekniko-taktik. Kam shumë cilësi, por nuk shkëlqej në asgjë. Stili im më lejon të luftoj për shokët e skuadrës.”
VËSHTIRËSITË DHE FRYMËZIMI – “Në fillim fitoja 1 mijë euro në muaj, minimumin, por që për familjen time ishin shumë. Përpiqem t’iu garantoj një nivel të mirë jetese të gjithë familjarëve të mi. Është një përgjegjësi e madhe, por frymëzohem nga mamaja ime, Lizi, e cila mungon prej disa kohësh… Ajo ka qenë njeriu më i rëndësishëm në jetën time. Nuk kishte asgjë, por më dha gjithçka duke sakrifikuar shumë. Motra ime binjake është lesbike. Ajo është e lumtur dhe kur është ajo, jam dhe unë. E ardhmja dhe lumturia e një personi nuk mund të përcaktohen nga dikush tjetër. Unë pranoj gjithçka, kjo është mënyra ime e të parit të gjërave.”