Skënderbeu do të presë pasditen e nesërmë në shtëpi Kastriotin, në një ndeshje ku korçarët do të kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes së javës së shkuar në kryeqytet ndaj Partizanit. Në kuadër të ndeshjes, për mediat ka folur Gjergji Muzaka, i cili është shprehur se ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme.
RËNDËSIA E NDESHJES – “Për situatën që ne ndodhemi, në mungesë të rezultateve, është një ndeshje e rëndësisë së madhe. Mbase kërkon një vlerësim më të madh se ndaj ekipeve që quhen rivale. Ndaj tyre vlerësimi dhe mobilizimi vjen vetvetiu, kurse ndaj Kastriotit duhet ta gjesh vetë dhe duhet të jetë më i madh. Kështu që në këtë aspekt merr një rëndësi shumë të veçantë kjo ndeshje.”
MOMENTI – “Jemi në një moment ku nuk mund të qajmë çfarë ka ndodhur më parë, fundi është afër dhe kemi objektiva për të arritur.”
GJENDJA E EKIPIT – “Absolutisht që jemi gati për këtë ndeshje. Pavarësisht rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit, ne kemi treguar që kemi qenë agresivë dhe cilësi. I kemi cilësitë. Kastrioti është ekip agresiv dhe do kërkojë pikët në fushën tonë. Ne duhet t’ia kthejmë me të njëjtën monedhë agresivitetin në fushë.”
TRAJNERI – “Trajneri ka pasur të drejtë, pasi edhe përgjegjësia e lojtarëve më të vjetër nuk është vetëm ajo që shfaqin në fushë. Detyra kryesore është që të tërheqin edhe shokët e skuadrës. Në këtë këndvështrim ka të drejtë.”
FUNDI I SEZONIT – “Pavarësisht se rezultatet e dobëta na kanë ulur pak moralin, besoj se do gjejmë forca dhe të shohim përpara. E thashë, nuk duhet të qajmë çfarë ka shkuar. Kemi objektiva që mund t’i arrijmë përmes Kupës ose kampionatit. Fundi i sezonit është pranë dhe duhet t’i japim një shtysë shumë të madhe vetes tani.”