Mustafa motivon Nezirin pas dëmtimit, Luftëtari merkato në Maqedoni

Luftëtarit nuk i ndahen problemet. Përveç vështirësive që vetë janari të paraqet në gjetjen e futbollistëve të duhur për t’u përforcuar, në kampin bluzi ka edhe dëmtime. Madje nga ato të rëndat. Mbrojtësi Mërgim Neziri, i marrë nga Petrolul Ploeshti pak ditë më parë, ka këputur ligamentin.

Tashmë ai duhet të operohet dhe ky sezon futbollistik konsiderohet i mbyllur për të. Mesazhet motivuese për anësorin e majtë kanë qenë të shumta. Në rrjetet sociale është mesfushori aktual i Flamurtarit, Argjend Mustafa, ai që i jep zemër Nezirit, me të cilin ka qenë shok skuadre te Kamza.

Të gjendur përpara kësaj situate, në Gjirokastër janë vënë menjëherë në lëvizje për të bërë një tjetër afrim për prapavijën. Vetëm Xhekson për linjën e majtë nuk mjafton. Mezani kërkon një grup të plotë dhe deri më tani nuk e ka në dispozicion.

Nga Maqedonia pritet një mbrojtës tjetër dhe ai është Riste Ilijoski. Futbollisti 24-vjeçar ishte pjesë e Pelisterit në ligën e dytë në Maqedoni. Me këtë skuadër mbrojtësi i majtë ka luajtur edhe në elitë. Në të shkuarën gjithashtu është aktivizuar te Pobeda dhe Mladost CD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *