Kukësi vijon me përgatitjet për nisjen e sezonit të ri futbollistik. Momentalisht verilindorët po punojnë në kryeqytet, ndërkohë që më 5 gusht do të zhvendosen drejt Mavrovës, në Maqedoninë e Veriut. Së fundmi te Kukësi ka pasur edhe lëvizje.
Trajneri Shpëtim Duro po plotëson stafin e tij. Andi Kulli është përgatitësi atletik që do të jetë pjesë e Kukësit. Më parë ai ka qenë edhe te Partizani dhe Duro e njeh mirë atë. Veç Kullit pritet që të ketë edhe një afrim tjetër në staf.
MUSOLLI – Mesfushori është bashkuar me skuadrën, edhe pse ende nuk ka një njoftim në lidhje me rinovimin e kontratës. Në seancën stërvitore të ditës së mërkurë, Musolli është përplasur me Oumar Kamara dhe e ka lënë stërvitjen para kohe.
Fillimisht ka pasur panik, pasi vjet Musolli qëndroi për muaj të tërë jashtë fushave të blerta për shkak të një dëmtimi në gju, që u shoqërua me një ndërhyrje në ligament. Fatmirësisht për mesfushorin nuk ka diçka shqetësuese dhe gjithçka është në rregull.