Mbrojtësi nga Gjakova kërkohet nga kampionët e Kosovës, që do të kenë mundësinë të luajnë në kupat e Europës. 22-vjeçari së shpejti pritet të vendosë për të ardhmen
Kushtrim Lushtaku kaloi para pak ditësh nga Kukësi te Trepça ’89 dhe do ketë mundësinë të luajë në turin paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Gjatë këtyre ditëve kampionët e Kosovës kanë zyrtarizuar disa afrime dhe po punojnë për të bërë edhe të tjera. Në listën e tyre është edhe Drilon Musaj, i cili për katër sezone ka qenë pjesë e ekipit nga Mitrovica. Burime pranë klubit të Trepçës ’89 konfirmojnë se po punohet për ta rikthyer mbrojtësin e linjës së djathtë. 22-vjeçari për dy vite ka luajtur me skuadrën e Laçit, teksa sezonin e fundit ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës dhe është aktivizuar në 34 ndeshje, ndërsa dy të tjerat i ka humbur për shkak të plotësimit të kartonëve të verdhë. Gjatë pjesës së parë të sezonit është aktivizuar shpesh edhe si qendërmesfushor, për shkak të problemeve që ka pasur skuadra e Laçit me dëmtimet, ndërkohë që ka luajtur edhe si mesfushor i djathtë. Musaj nuk ka mundur të shënojë në kampionat, por e ka bërë këtë në Kupën e Shqipërisë ndaj Bylisit, që i ka realizuar një dygolësh.
Mbrojtësi momentalisht po shijon pushimet pranë familjes së tij dhe po shqyrton ofertat në drejtim të tij. Veç Trepçës dhe Laçit ka edhe disa oferta të tjera nga jashtë vendit, ndaj kërkon që të mos nxitohet. Aktualisht nga Laçi është larguar Emanuel Mensah dhe Bruno Lulaj, ndërkohë që deri në këto momente nuk ka asnjë afrim. Drejtuesit e kurbinasve po punojnë për afrimin e disa elementëve cilësorë, ndërkohë që pritet që presidenti Laska të ketë një takim me trajnerin Nica, për të diskutuar se ku duhet ndërhyrë konkretisht. Sulmi është “thembra e Akilit” dhe me gjasa ai do të vijë nga jashtë vendit. Kërkimet kanë nisur dhe menaxherë të ndryshëm kanë bërë sugjerimet e tyre, por te Laçi përgjithësisht synohet që futbollistët të shihen në fushën e blertë dhe më pas të firmoset. Kjo mënyrë pune zor se do ndryshoje, sigurisht përjashtim bën ndonjë element cilësor që njihet apo ka një “CV” të pasur.