Donjet Shkodra bëhet “korçar”: Skënderbeu, numri 1!

0

Fatjon Rupi

“Sport Ekspres” zbuloi para shumë ditësh blerjen e parë dhe shumë të rëndësishme të Skënderbeut, mesfushorin kosovar Donjet Shkodra, i cili ka firmosur një kontratë 2-vjeçare. E konfirmoi më pas presidenti Ardjan Takaj dhe dje në mbrëmje lojtari ka pozuar me fanellën e Skënderbeut, i shoqëruar nga menaxheri i përgjithshëm i juglindorëve, Gerhard Takaj. Mesfushori idhull i tifozërisë vlonjate sezonin që shkoi, ku shënoi 9 gola për Flamurtarin, 8 nga të cilët kanë qenë të parët për skuadrën e tij, është një snajper i vërtetë. Gjuajtjet e tij nga jashtë zone janë shumë të rrezikshme dhe interesant është fakti se golin e parë ia ka shënuar Orges Shehit, portierit të Skënderbeut, në javën e parë të kampionatit. Duke folur si korçar, Shkodra nuk i kursen elozhet për skuadrën e re, duke theksuar se ajo do të ndihmojë shumë për karrierën e tij. Edhe ai dëshiron të bëjë të njëjtën gjë, ta ndihmojë Skënderbeun për objektivat madhorë që ka. Ja intervista e Shkodrës për “Sport Ekspres” menjëherë pas prezantimit:

– Shkodra, pse zgjodhët Skënderbeun për të vazhduar karrierën tuaj?

– Zgjodha Skënderbeun, sepse mendoj se është ekipi numër 1 në kampionatin shqiptar. Eshtë një ekip, që ka bërë histori në futbollin shqiptar vitet e fundit, duke fituar tituj radhazi dhe duke shkuar në grupet e Europa League. Jam i bindur se kam bërë zgjedhjen më të mirë për karrierën time në këtë moment. Skënderbeu luan futboll të bukur, siç ka ndodhur edhe sezonin e fundit. Jam shumë i kënaqur, që jam pjesë e këtij ekipi shumë të mirë.

– E shihni si një “trampolinë”, duke ditur edhe politikat e Skënderbeut për të afirmuar dhe më pas shitur lojtarë në ekipe europiane?

– E thashë se ky ekip do të më ndihmojë shumë për karrierën time. Nëse ndodh kështu siç thoni ju, është aq më mirë për ekipin dhe për mua, sepse të dy përfitojmë nga njëri-tjetri. Sapo kam firmosur dhe dua të jap më të mirën, që Skënderbeu të arrijë rezultate sa më të mira.

– Me çfarë objektivash keni ardhur tek ekipi korçar?

– Me objektivin për të fituar titullin kampion. Atë që nuk bëri sezonin e fundit Skënderbeu, shpresoj ta bëjmë sezonin e ri, duke fituar trofe, pasi ky ekip e ka potencialin për të qenë në majat e futbollit shqiptar.

– A ju bezdisi ndopak fakti që këtë periudhë është folur për një dënim të mundshëm të Skënderbeut nga Komisioni i Etikës?

– Këto janë gjëra, që ju takojnë drejtuesve të klubit dhe ua lë atyre. Nuk më takon të flas për një temë të tillë.

– Cili është mesazhi juaj për tifozët korçarë?

– Nuk dua të bëj premtime, por do të thosha se do të bëj gjithçka, që tifozët korçarë ta shohin sërish ekipin e tyre në majë të futbollit shqiptar, kampion të Superiores. Kam ardhur te Skënderbeu për të dhënë më të mirën time.

– Keni ndonjë mik tek ekipi juaj i ri?

– Nga grupi i lojtarëve të Skënderbeut njoh vetëm Enis Gavazajn, pasi edhe ai ka luajtur më parë në Belgjikë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.