Milanin e pret një ndeshje e vështirë kundër Fiorentinës të shtunën në mesditë, pavarësisht se do të luhet në “San Siro”. Trajneri Gatuzo duhet të bëjë llogaritë me mungesat e shumta, sidomos në repartin e mesfushës.
Bakajoko do të mungojë për shkak të kartonit të kuq të marrë kundër Bolonjës, ndërsa do të mungojë dhe Andrea Bertolaçi. Ky i fundit ishte në stol në ndeshjen e fundit, por vazhdon të vuajë nga një dëmtim në tendinë.
Në një situatë të tillë, Gatuzo ka vendosur të “shpikë” diçka, ose më saktë është i detyruar ta bëjë një gjë të tillë. Siç raporton “MilanNews.it”, në mesfushë do të luajë Davide Kalabria, mbrojtësi i krahut të djathtë. Ai do të formojë treshen e repartit të mesit të fushës bashkë me Çalhanoglu dhe Hoze Mauri në qendër.
Në rolin e Kalabrias do të aktivizohet Ignacio Abate, i cili është rikuperuar dhe është gati të zbresë nga fillimi në përballjen me Fiorentinën e Piolit.