Mundësia për rikonstruksion, “Zeqir Ymeri” në dorë të Bashkisë

Fusha është kthyer në një burim dëmtimesh, teksa pas Laçit ishin tre lojtarë që shfaqën probleme. Stadiumi është pronë e Bashkisë dhe duhet marrëveshje për ndonjë ndërhyrje emergjente

Jurgen Zela

Në horizont është Skënderbeu, rivali kryesor për titull, megjithatë kur mendohet se në ç’fushë do të luhet, zbehet mendimi se do të shohim një futboll të bukur, siç këto dy skuadra mund të na dhuronin në këtë pikë të kampionatit. “Zeqir Ymeri” është kështjella e Kukësit, megjithatë tashmë është kështjellë e rrezikshme dhe për vetë kuksianët. Fusha e “Zeqir Ymerit” është katandisur në një gjendje të mjerueshme, teksa tapeti është konsumuar shumë dhe vetë lojtarët e Kukësit janë të shqetësuar për faktin se do të luajnë çdo dy javë në të. Fillimisht nuk u mendua që të ishte në gjendje të tillë, edhe pse në media u paralajmërua diçka e tillë, dëmtimet e fundit kanë bërë që në Kukës ta mendojnë një rikonstruksion të mundshëm, megjithatë jo gjithçka është aq e lehtë sa mund të duket.

Klubi i Kukësit është një shoqëri aksionere, me presidentin Safet Gjici i cili zotëron 87.5% të aksioneve, ndërsa Bashkia 12.5%. Stadiumi është pronë e Bashkisë dhe normalisht duhet që veç se të japë leje për ndërhyrjen në “Zeqir Ymeri” të kontribuojë. Fakti se mes Bashkisë dhe presidencës nuk ka pasur bashkëpunim, por dhe për shkak të bindjeve të ndryshme politike nuk e bën të thjeshtë negocimin e një mundësie për rikonstruksion. Primar është vetëm tapeti i stadiumit, pavarësisht se nevojë për rikonstruksion kanë dhe ambientet e brendshme të dhomave të zhveshjes, por dhe tribunat e tifozëve, në të cilat tashmë më shumë shihet pjesa e betonit sesa stolat. FSHF mund të japë një ndihmë të vogël, megjithatë fillimisht duhet që të gjendet konsensusi mes Bashkisë dhe presidentit Gjici. Veç pjesës së lejes, në Kukës nuk duan që të luajnë larg shtëpisë, edhe për shkak të objektivave që klubi ka.

Duket një investim i domosdoshëm, pasi synimet madhore të Kukësit mund të vihen në diskutim nëse fusha do të bëhet një burim i madh dëmtimesh. Normalisht një rikonstruksion i pjesshëm nuk do të donte kohë të pafundme, pasi siç dihet tapeti në Kukës është artificial dhe do të duhej një kohë realitivisht më e vogël për t’u zëvendësuar, ndaj një ndërhyrje në janar do të ishte një zgjedhje oportune. Tapeti në Kukës ka plot 7 vite që nuk është ndërruar. Në atë fushë veç skuadrës së parë stërviten dhe luajnë dhe ekipet zinxhirë dhe Kukësi B, çka bën që situata të jetë gjithnjë e më e rënduar. Akoma më problematike mund të bëhet situata gjatë periudhave të reshjeve, pasi terreni mund të rëndohet akoma më shumë.

Pjesa e rikonstruksionit ka prodhuar dhe më parë problematikë, teksa vetëm pak muaj më parë u raportua se FSHF kishte hedhur në gjyq Bashkinë Kukës për një detyrim prej 123 milion lekësh të pashlyera. Burime pranë gazetës tregojnë se Bashkia e ka shlyer këtë detyrim, por pas një periudhe të gjatë, tashmë kur kërkohet sërish investim. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Nëse FSHF do të bëjë negociatorin në këtë rast, për të mirën e futbollistëve dhe futbollit mund të shtyjë që në Kukës të ketë punime në janar, për të shmangur dëmtimet e shumta. Në fund të sezonit pritet që Kukësi të bëjë një rikonstruksion të plotë, në bashkëpunim të klubit, qeverisë dhe FSHF-së, por tapeti mund të mos presë deri atëherë, duke parë situatën alarmante.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online