Kenet Muguna luajti shumë pak te Tirana, ndërkohë që është rikthyer në Kenia për të veshur sërish fanellën e Gor Mahias. Mesfushori i avancuar ka nënshkruar për tre vite, ndërkohë që për “Goal” ka dhënë një intervistë ku tregon se pse vendosi t’u bashkohej bardhebluve.
“E bëra atë lëvizje sepse kisha nevojë të ekspozohesha në një ligë të re, të paktën për të mësuar disa gjëra në karrierën time”, është shprehur mesfushori. Është “ngacmuar” shumë kohët e fundit se nuk mori vendimin e duhur për të shkuar te Tirana, por ai nuk është penduar.
Më tej ka folur edhe për arsyen e largimit, por nuk jep detaje konkrete. Gjithsesi falënderon klubin kryeqytetas, si dhe ka fjalë të mirë për ish-trajnerin e Tiranës, brazilianin Ze Maria. Për Mugunën ai është ndër më të mirë teknike me të cilët ka punuar deri më tani.
“U largova nga Tirana për shkak të disa problemeve personale. Para se të largohesha nga KPL (Kenya Premier League), kisha pësuar disa dëmtime. Por ndoshta gjërat nuk shkuan sikur unë prisja dhe me gjithë respektin mund të them që kam fituar shumë. Nëse e sheh mirë, në aspektin e ambientit, si lojtar, mentaliteti ka ndryshuar. Kështu që unë dua t’i falënderoj ata për kohën që isha pjesë e tyre. Trajneri Ze Maria është një nga trajnerët më të mirë me të cilët kam punuar deri më tani”, është shprehur Muguna.