“Mozaiku” Flamurtari, Duro: Mungon vetëm një… sulmues

0

Vlonjatët e kanë bërë ekipin nga fillimi, por kjo e shqetëson stafin teknik, teksa vetë trajneri Duro shprehet se kanë bërë lëvizjet e duhura, por…

Elton Nika

Flamurtari mbetet në merkato, ndërkohë që tanimë synimi mbetet afrimi i një sulmuesi. Pas situatës së krijuar nga Danilo Alvesh, në sulm të gatshëm për vlonjatët janë tashmë Bushiç dhe Ardit Hoxhaj. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka konfirmuar për “Sport Ekspres” se aktualisht skuadra është thuajse e plotësuar, megjithatë ai nuk përjashton minimalisht edhe një lëvizje tjetër në merkato, por gjithçka pritet të kryhet me qetësi, duke tentuar një alternativë cilësorë. Primare për Flamurtarin mbetet afrimi i një partneri për Bushiç dhe momentalisht janë duke u studiuar disa pista.

“Skuadra është thuajse e plotësuar. Kemi lëvizur në merkato duke plotësuar skuadrën në të gjitha repartet, megjithatë në kohën kur duhen edhe gati dy muaj nga nisja e kampionatit, nuk mund të përjashtojmë thuajse asgjë. Rëndësi për skuadrën mbetet mbi të gjitha plotësimi i repartit të avancuar, aty ku ndoshta kemi nevojën për t’u kompletuar, pasi në repartet e tjera skuadra është gati”, thotë fillimisht trajneri Duro. Braziliani Danilo Alvesh nuk ka mbërritur në Vlorë edhe pse ata e presin. Në lidhje me këtë çështje, tekniku kryeqytetas shton: “Nuk e di çfarë të them. Ju jeni më afër aty dhe mund të dini më shumë, por di që në datë 8 korrik ai duhej të ishte në Vlorë dhe nuk ka mbërritur. Gjithsesi, ajo që mua më intereson mbetet skuadra aktuale dhe nisja e përgatitjeve në kohën kur e kemi planifikuar”.

Para pak ditësh Duro e konsideroi merkaton të mbyllur me Artim Pollozhanin, por kjo ka pak mundësi. Trajneri i vlonjatëve e lë të hapur merkaton, duke deklaruar: “E thashë pak më lart, edhe nëse kemi nisur përgatitjet, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndërhyjmë nëse do të kemi ndonjë alternativë cilësore për ta pasur pjesë të skuadrës. Një sulmues duhet të mbërrijë, por nëse do të jetë i huaj apo nga tregu shqiptar, kjo mbetet për t’u parë në vijim. Deri më tani unë di të them se kemi zhvilluar një merkato të mirë, cilësore, duke studiuar çdo lëvizje. Kemi lëvizur në kohën e duhur dhe kemi marrë lojtarët e duhur që i nevojiten dhe i bëjnë punë skuadrës për sezonin e ardhshëm. Afrimi i një tjetër lojtari në repartin e avancuar mbetet prioritet në këtë moment, por do të shohim me kujdes në vijim”, ka mbyllur Duro deklaratën e tij.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.