Morati krah kapitenit: Ikardi ka të drejtë, Interi ka një strategji

Interi nuk po arrin të gjejë një akord me Mauro Ikardin për rinovimin e kontratës. Aktualja përfundon në verën e vitit 2021, ndërsa sulmuesi përfiton një rrogë prej 5.5 milionë eurosh në sezon. Ikardi kërkon të paktën 8 milionë euro në sezon, ndërsa Interi e mendon si të lartë këtë shifër. Në këtë pikë kanë ngecur negociatat, ndërsa në ditët e ardhshme pritet një takim midis Bepe Marotës dhe Uanda Narës.

Rreth kësaj çështje ka folur dhe Masimo Morati. Ish-kreu i zikaltërve ka folur për “Sportmediaset”, duke i dhënë të drejtë kapitenit për kërkesat e tij, i cili ka oferta të shumta për t’u larguar. Nga ana tjetër, Morati beson se klubi e ka një plan dhe do të bëjë të pamundurën për të mbajtur lojtarin në ekip dhe për të siguruar marrëveshjen e re.

Çdo vit përsëritet kjo çështja e rinovimit të Ikardit. Besoj se lojtari e ka të drejtën për të menduar për një rrogë më të madhe, por nga ana tjetër mendoj se klubi ka studiuar një strategji për të mbajtur kapitenin në ekip. Unë do i jepja 8-9 milionë euro në sezon? Nuk mund t’i lidh dot shifrat që ekzistojnë sot me ato të së shkuarës”, driblon ish-presidenti i famshëm i Interit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *