Nga 70 në 95 për qind. Silvio Berluskoni nuk kënaqet dhe klubi i Monzas duket gjithmonë e më tepër pronë e “Kavaljerit”. Bisedimet për rikthimin e presidentit historik në botën e futbollit janë drejt fundit, ndërsa rritet edhe përqindja e aksioneve të klubit, që do të zotërohen nga Berluskoni.
Skuadra e Serisë C është objektivi i dyshes Galiani-Berluskoni, që vetëm pak ditë më parë synonin të blinin 70 për qind të aksioneve. Tashmë termat e bisedimeve kanë ndryshuar dhe sipas pretendimeve të reja të ish-drejtuesve të Milanit, familjes Kolombo, pronare aktuale e klubit, do t’i mbeten vetëm 5 për qind të aksioneve.
Avokati i Milanit të Berluskonit, Leandro Kantamesa, përfundoi zbardhjen e pasqyrave financiare të Monzës dhe tashmë palët po mbyllin kontratën e pronësisë.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve, Ansa: “Vendimi është marrë pas akordit të përbashkët, të arritur në mbledhjet e fundit”. Operacioni mund të mbyllet më 29 shtator (datëlindja e 82-të e Berluskonit), por ndoshta edhe më përpara. Një dhuratë me vlerë rreth 3 milionë euro për Kavaljerin.