Montela: Shkëndija si skuadrat italiane, kujdes nga Ibraimi!

Milani bëhet gati për sfidën kundër Shkëndijës së Tetovës në Europa League, nesër në mbrëmje në 20.45, në San Siro, ndeshja e vajtjes play-off. Trajneri i Milanit Vinçenço Montela është prezantuar sot para medieve për konferencën e zakonshme për shtyp, duke u ndalur në shumë tema, nga Shkëndija e deri te përforcimet e pritura deri në 31 gusht.

GJENDJA – “Minicikli i ardhshëm do të jetë i rëndësishëm, edhe pse jemi vetëm në fillim. Do të luajmë në pak ditë ndeshjen kundër Shkëndijës dhe të parën në Serinë A, shpresoj që skuadra të mos bëjë asnjë gabim. E përsërit, sapo kemi filluar, por që tani luajmë ndeshe me shumë rëndësi. Skuadra po rritet fizikisht dhe grupi po funksionon mirë”.

ANDRE’ SILVA – “Po rritet, besoj se për lojtarët ofensivë nevojitet më shumë kohë ambientimi dhe studimipër mbrojtjet kundërshtare. Edhe atij i duhet pak kohë, por me siguri ka të ardhme të madhe”.

SHKËNDIJA – “Kanë luajtur më shumë ndeshje se ne, 6 vetëm në Europë, pastaj sapo kanë mundur Vardarin kampion në fuqi. Është një skuadër me ide të qartë loje dhe në sulm kanë një lojtar të talentuar dhe të paparashikueshëm si Ibraimi. Skuadër evropiane, pranë skuadrave italiane në pikëpamjen taktike. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por do të varet vetëm prej nesh. Ata janë shumë të organizuar, por varet si do të luajnë. Nuk jam i bindur që në Europa ndeshjet mbyllen që në vajtje, gjithçka mund të ndodhë në dy ndeshje, edhe rezultate të thella. Ndeshja e parë në shtëpi? Nuk isha kundër idesë fillestare, më dukej avantazh, por gjithsesi përshtatemi me gjithçka”.

KALINIÇ – “Po mundohem të mos zbuloj shumë gjëra. Megjithatë, mund të them që është një futbollist që i përshtatet futbollit tonë, altruist dhe që di të manovrojë në çdo situatë loje. Ndoshta nuk është një shënues race, por më pëlqen shumë si lojtar. Gjithsesi, edhe nëse vjen, nuk do të luajë në fundjavë”.

MBROJTJA – “Nuk është gjithmonë e vërtetë që mbrojtjet të japin titullin kampion. Nëse shënon pak, por pëson pak, nuk është e thënë që të fitosh. Duhet të dish të sulmosh dhe të mbrosh me 11 lojtarë, skuadra ka nevojë për harmoni”.

BILIA E ROMANJOLI – “Më bezdis fakti që nuk i kam në dispozicion. Alesio po stërvitet rregullisht, ndërsa Lukas dëshiron të kthehet sa më shpejt. Janë dy lojtarë që do të bëhen vendimtarë për fatet e Milanit. Me Romanjolin do të kemi mundësi të luajmë me 3 në mbrojtje, është mëngjërashi i vetëm, por mund edhe të vazhdojmë me 4 lojtarë në prapavijë. Ndoshta kthehet pas ndërprerjes së kampionatit”.

SULMI – “Kutrone është në formë të jashtëzakonshme, por duhet ta administroj mirë në 4 ndeshjet e radhës, që luhen në dy javë, ndaj do të bëj shumë rotacion, pasi në këtë periudhë askush nuk i përballon dot 4 ndeshje në dy javë me të njëjtin nivel në paraqitje. Dua të këmbëngul edhe te André Silva, sepse duhet të ambientohet me stadiumin, ndaj do të alternohen ose do të luajnë së bashku. Pres që skuadra të ketë më shumë harmoni në lojë, të krijojë më shumë”.

BAKA – “Është një futbollist që na ndihmoi shumë për të shkuar në Europë, por prisnim diçka më shumë prej tij. Për mua nuk ishte një fitore e madhe, sepse nuk arrita t’i shfrytëzoj gjithë aftësitë e tij. Kishim dy vizione të ndryshme në lidhje me rolin e sulmuesit në fushë. I uroj gjithë të mirat”.

NIANG – “Ka qenë paksa i dëmtuar për disa ditë. Klubi dhe djaloshi e dinë mendimin tim, situata është në evoluim të vazhdueshëm”.

BONUÇI KAPITEN – “Zgjedhje e orientuar nga klubi, që dëshironte si kapiten një fytyrë të re. Bonuçi është lojtari perfekt për kapiten, është një lider në skuadër, edhe pse nuk ishte një zgjedhje e lehtë”.

DHURATË NË MERKATO – “Po bëj vlerësime ditë pas dite, e ekzagjerojmë edhe me drejtorin. Idetë dhe synimet e mia janë të qarta, edhe pse jam shumë i kënaqur me merkaton, nuk mund ta mohoj”.

SOZA E PALETA – “Për momentin nuk janë në planet e mia dhe janë në merkato. Më pas, të shohim. Edhe nëse ikën Paleta, nuk do të blejmë askënd, kemi 6 qendërmbrojtës, 7 së bashku me Simiç”.

BONUÇI DO CHAMPIONS – “Ai ka thënë që dëshiron ta fitojë brenda 4 viteve, por më parë duhet të kualifikohemi. Nëse jemi të zotët, mund ta fitojmë edhe më herët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *