Atletiko e Madridit arriti një fitore me shumë rëndësi përballë Vajadolidit në transfertë, ndërsa Diego Simeone ka përfunduar në kritikat e Realit të Madridit. Tibo Kurtua dhe Luka Modriç kanë reaguar ndaj deklaratave të trajnerit argjentinas.
Portieri dhe mesfushori kanë folur për “Marca” pas fitores kundër Rajo Vajekanos, duke insistuar se Simeone i bën të gjitha këto gjëra për të rritur popullaritetin te tifozët e tij.
“Simeone e kritikon Realin e Madridit për t’u bërë edhe më popullor përpara tifozëve të tij. Ai e bën gjithmonë, e sulmon Realin, sepse është skuadra më e mirë në botë. Simeone ka thënë që unë u shpalla portieri më i mirë në botë, pasi kalova te Reali? Kur luajta në Botëror isha akoma pjesë e Çelsit dhe votat e portierit më të mirë u bënë në gusht, kur nuk isha pjesë e Realit. Nuk është e drejtë që ka tentuar të më ulë vlerat. Kam punuar 3 vite me të tek Atletiko dhe gjithmonë sulmon Realin për të rritur populizmin e tij te tifozët e Atletikos”, është shprehur portieri belg i Realit.
Pak a shumë të njëjta fjalë ka thënë dhe Luka Modriç. Fituesit të “Topit të Artë” nuk i kanë pëlqyer deklaratat e “Cholos”, i cili u shpreh se Antuan Grizman e meritonte të shpallej futbollisti më i mirë.
“E respektoj Simeonen, por nuk është e drejtë që sukseset tona të shërbejnë për t’i dhënë zë tezës së tij populiste për favorizime ndaj Realit”, komenton shkurt mesfushori kroat i Realit.