Mjeshtri Paulin Ndoja: Vllaznia s’ka nevojë të importojë portierë

Gaspër Marku

Nëse kërkon ndokush ndonjë formulë se si priten penalltitë, mund të drejtohet te trajneri i portierëve të akademisë “Vllaznia”, tek i mirënjohuri Paulin Ndoja. Me punën e tij profesionale ai ka  nxjerrë portierë cilësorë, duke e shndërruar Vlalzninë në një “fabrikë” portierësh. Ai në fakt e ka recetën si duhet të sillet një portier gjatë gjuajtjes së penalltisë, por nuk e tregon publikisht, pasi e ka vetëm për portierët që ai stërvit. Ditët e fundit, portierët që ai stërvit arritën të presin 5 penallti. I pari ishte Zamir Vjerdha, portieri 20-vjeçar që luan për Vllazninë B. Në ndeshjen finale për ngjitjen në Kategorinë e Parë, Vjerdha priti 3 penallti në përballjen e “Play-Off”-it me Sopotin, madje duke qenë edhe ai shënues nga pika e bardhë. Pas ndeshjes Vjerdha përcillte falënderimet për trajnerin Paulin Ndoja, duke ia dedikuar atij gjithçka në suksesin e arritur. Nuk shkoi gjatë dhe pak ditë më pas, Samet Bajri, portieri i Vllaznisë U-19, priti dy penallti dhe e shpalli skuadrën e tij kampione të Shqipërisë.

SEKRETI I NDOJËS

Puna e trajnerit Paulin Ndoja ka dalë dukshëm në pah dhe Vlalznia e ka të sigurt portën, që aktualisht mbrohet nga Erind Selimaj. Vetë mjeshtri shkodran shprehet: “Dua të jem i sinqertë dhe do ta tregoj historinë si më ka ndodhur. Kam pasur shansin që në moshën 18-19 vjeç të njihem me Qemal Voglin, portierin më të madh që ka pasur Shqipëria. Sekretin si priten penalltitë ma ka treguar ai, i madhi Qemal Vogli, por nuk e tregoj. Edhe portierëve që stërvit u kam thënë dhe lënë porosi të mos ia tregojnë askujt tjetër. E vërteta është se kam vuajtur shumë, që të pakten t’i krijoj qetësinë e duhur portierit. Realisht, sa herë humb qetësia, nuk kapet penalltia”. Në rininë e tij, kur Vllaznia me të në portë fitonte trofe të rëndësishëm, Paulin Ndoja ka shumë momente të bukura edhe me penalltitë, ku më i spikaturi është ai i finales së kupës në vitin 1972. Në finalen ndaj Besës priti penalltinë e Merhorit dhe pas shënimit të 5 penalltive nga Ramazan Rragami,  Vllaznia fitoi kupën.

REKOMANDIMI I NDOJËS

Pasi “vari dorezat”, duke u cilësuar si një ndër portierët më të mirë jo vetëm të Vllaznisë, Paulin Ndoja iu përkushtua detyrës së trajnerit të portierëve. Për disa vite me ekipin e parë dhe më pas me disa skuadra të tjera të kampionatit shqiptar, si dhe me ekipet kombëtare. Së fundi, kur edhe mosha bën të veten, ai është pozicionuar në sektorin e akademisë. Prej vitesh i është besuar puna me një grup portierësh, të cilët kanë të ardhme të sigurt. Rezultati ka qenë shumë i kënaqshëm dhe puna e tij vlerësohet nga vetë drejtuesit e klubit dhe të akademisë. Vjerdha dhe Bajri treguan nivel të lartë në dy ndeshjet e fundit, duke qenë vendimtarë për Vllazninë B dhe Vllazninë U-19. Me këta djem të talentuar, të cilët bëjnë pjesë në grupin që përgatit Ndoja, ai është i mendimit se Vllaznia e madhe nuk ka nevojë të marrë portierë jabanxhinj, jo vetëm se ka kosto financiare për klubin, por sepse i ka në Shkodër portierët me nivel. “Me Selimajn dhe Sherrin e ekipit të parë, Vjerdhën dhe Bajrin, të cilët pritën 5 penallti brenda javës, Qarrin, Kurtulën dhe Shkozën, që stërviten me moshat, kuqeblutë e kanë të sigurt portën. Nuk kanë nevojë të importojnë portierë nga jashtë”, – shprehet mjeshtri Paulin Ndoja. Ai preferon të ndalet më shumë te dyshja Vjerdha-Bajri, që e nderoi në dy ngjarjet më të fundit të suksesit shkodran. Por vlerëson edhe Sherrin, aktualisht në ekipin e parë. “Janë tre portierë, që pa diskutim duhet të inkuadrohen në dy ekipet e Vllaznisë dhe jam i bindur se janë ndër portierët më të mirë të Shqipërisë. Bashkë me Selimajn, ata u japin garanci dy ekipeve kuqeblu, në Superligë dhe në Kategorinë e Parë”, – ka theksuar Ndoja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online