Ndryshe nga çdo edicion tjetër, Skënderbeu bëri revolucion në verë, duke ndryshuar më shumë se gjysmën e ekipit, por dhe trajnerin. Ishte diçka e pazakontë për korçarët, të cilët gjithnjë kujdeseshin që të ruanin boshtin dhe të mos i prishnin ekuilibrat. Gjithsesi, duhet të thuhet se juglindorët afruan të gjithë ata lojtarë që i kishin të huazuar dhe besuan tek lojtarët që kishin qenë aty më parë, por nuk kishin pasur mundësi.
Edhe pse me shumë lëvizje dhe me një betejë të hapur me UEFA-n për përjashtimin 10-vjeçar nga Kupat e Europës, skuadra ka bërë mirë në fushën e blerë, kjo pasi ndodhet në vendin e dytë pas fazës së parë vetëm 2 pikë larg vendit të parë. Sigurisht, duke ditur problemet me UEFA-n dhe ndryshimet që ka pasur është shfaqur mjaft pesimizëm nëse skuadra e Shehit do të garojë për vendin e parë.
Në Tiranë do të jetë mjaft e vështirë për Skënderbeun, por është pikërisht ajo prova e madhe për t’i bindur të gjithë se pavarësisht gjithçkaje ata do të jenë sërish pretendent për titull. Partizani është skuadra për t’u mundur, pasi ka pësuar vetëm 2 gola, një prej të cilëve me penallti, ndaj pritshmëritë për këtë sfidë janë maksimale, por për korçarët vlen më shumë se 3 pikë e më shumë sesa marrja e kreut.