Në verë nuk shpallesh kurrë kampion, por këtë vit entuziazmi i tifozëve të Milanit është mëse i justifikuar. Milani është kthyer Milani, pas disa vitesh në gjumë, që e patën kulmin me shitjen te kinezët. Këta të fundit u pritën me mosbesim, por tani edhe më skeptiku ka mbetur gojëhapur.
Blerje të shkëlqyera, me Bilian e Bonuçin të fundit, por drejtori sportiv Masimiliano Mirabeli sqaron se nuk ka mbaruar ende, në një intervistë në Premium Sport.
“Jemi një kantier i hapur. Nëse duhet, do vijë një mesfushor, por edhe një sulmues anësor, përveç pykës. Renato Sançes e Morata? Na interesojnë, por vetëm me kushtet tona. Renato Sançes e njoh mirë, që nga koha e Benfikës, mund të vijë nëse Bajerni pranon ofertën tonë. Morata ka qenë një pistë e ftohtë javët e shkuara, tani duket sikur mund të ngrohet sërish, por natyrisht vetëm me kushtet që duam ne“.
Bilanci deri tani: “Blerja më e thjeshtë ishte Konti, ai u bë kuqezi që në telefonatën e parë. Më e vështira Donaruma, një mission impossible, që u arrit nga fakti se Donaruma dhe familja e tij duan Milanin. Natyrisht, më tërheqësja është blerja e Bonuçit, një sinjal i fortë. Një operacion blic, nga ata që duhen mbyllur urgjentisht, as vetë nuk e kemi kuptuar që ia dolëm. Bilia? E vështirë, Lotito është një president shumë i zoti, një shembull për t’u ndjekur. Kur vendos një çmim, nuk lëshon kurrë, edhe sikur ta vrasin, por ia dolëm“.
“Beloti? Më vjen keq nëse Torino irritohet, sepse ne kemi shumë sulmues në listë, edhe emra që nuk janë përmendur në media. Kemi biseduar me Torinon, po bisedojmë me klube të tjerë, po sillemi në mënyrë korrekte, i njoftojmë klubet për çdo bisedim me lojtarët.
Për Mirabelin synimi nuk është kapja e Juventusit: “Jo, ne duam të hapim një cikël, duam të nisim ndërtimin e një skuadre të aftë të fitojë për shumë vite dhe mbi të gjitha duam një skuadër që ta mbushë San Siron plot, në çdo ndeshje. Ka entuziazëm te tifozët, duhet ta ruajmë“.
Shumë shpenzime: “Po, duhej një shkundje për ambientin. Megjithatë, për të ardhmen ne besojmë te skautingu. Më mirë t’i zbulojmë vetë talentet, pa u shkuar çmimi në qiell“.