Partizani do të zhvillojë miqësoren e tretë në tokën turke gjatë ditës së sotme. Kryesuesit e Superiores do të përballen me Dinamon e Zagrebit në orën 15:00. Djemtë e Gegës vijnë nga dy barazimet 1-1 kundër Sivasporit dhe Antaljasporit, ndërsa përballja me gjigantin kroat po pritet me interes.
Një ndeshje e veçantë dhe për Amir Rrahmanin, mbrojtësin e Dinamos, i cili do të luajë kundër ish-ekipit të tij. 24-vjeçari i përfaqësueses së Kosovës zhvilloi dy sezone me ekipin e Partizanit, ndërsa tashmë është kthyer në një pikë fikse të Dinamos së Zagrebit, që kryeson kampionatin kroat me 11 pikë më shumë se Osijeku i vendit të dytë.
Ekipi kroat po zhvillon fazën përgatitore në Belek që nga 10 janari, ndërsa miqësorja përballë Partizanit është e para për ta në Turqi. Nenad Bjelica, trajneri i Dinamos, ka folur për “Sport News”, duke deklaruar se formacioni titullar do të luajë 60 minuta, ndërsa në gjysmë orëshin e fundit do të ketë një ndërrim total të skuadrës, ndërsa nesër kundër Dinamo Drezden do të ndodhë e kundërta.
Arian Ademi dhe Ivan Sunjiç, dy ndër lojtarët më të mirë të ekipit, nuk do të zbresin në fushë kundër Partizanit, si pasojë e dëmtimeve. Nga minuta e parë do të zbresë në fushë dhe Rrahmani, i cili do të aktivizohet në rolin e mbrojtësit të majtë.