Ersil Ymeraj ka fituar formacionin te Kastrioti dhe shkodrani ia ka shpërblyer trajnerit Stavri Nica. Mesfushori shënoi golin e barazimit të përkohshëm kundër Laçit, por në fund krutanët u mposhtën 2-1. Kjo nuk është përjetuar mirë, sikurse edhe Ymeraj është shprehur në një prononcim për mediat.
“Humbja e fundit në Laç na mërziti shumë, edhe për faktin se luajtëm shumë mirë. E kemi të qartë që loja e bukur nuk mjafton. Na duhen pikët dhe jemi shumë të karikuar përpara ndeshjes kundër Flamurtarit. Do të kërkojmë me çdo kusht 3 pikët”, është shprehur fillimisht mesfushori.
Më tej ai ka analizuar kundërshtarin e radhës: “Flamurtari është ekip me shumë cilësi, që e nisi sezonin me pretendime për titull. Pavarësisht gabimeve që ka bërë, ka ekip shumë cilësor. Gjithsesi ne do të bëjmë gjithçka për të marrë pikët e plota”.
Sikurse edhe dihet, Kastrioti nuk i luan ndeshjet në Krujë. Shtëpia e tyre këtë sezon është “Redi Maloku”. Normalisht për ekipin krutan ndikon në garë. “Është një minus i madh, natyrisht, sepse e luajmë çdo ndeshje në transfertë. Por tifozët na kanë ndjekur nga pas dhe besojmë se do të jenë të shumtë edhe ndaj Flamurtarit. Besoj se do t’i kënaqim me një fitore”, shtoi Ymeraj.
Qëndrimi në Superiore është synimi kryesor i Kastrioti dhe besimi ekziston, edhe pse krutanët janë në vendin e fundit. “Rivaliteti në fundin e tabelës është shumë i madh. Për momentin janë 4 ekipe për mbijetesë dhe ne momentin nuk e shohim renditjen, por vetëm ndeshjet tona, për të tentuar të marrim sa më shumë pikë. Më vonë bëhen bilancet”.