Milani është kthyer ai i sezoneve të fundit: dështim në fushë, Europa League është maksimumi i mundshëm dhe fitimi i Kupës së Italisë do të jetë vetëm një ngushëllim i vogël, gjithnjë nëse arrihet.
Problemi është se verën e shkuar Milani shpenzoi si pak klube në botë, por përmirësimi ka qenë zero.
Nën akuzë është drejtori sportiv Masimiliano Mirabeli, i cili është marrë tërësisht me merkaton, ndaj Gazzetta dello Sport shkruan se fondi Elliott, që është praktikisht gjysmëpronar i klubit, duke qenë se ka investuar jashtëzakonisht, po mendon të vendosë dikë tjetër krah Mirabelit, apo edhe më shumë se kaq, ta largojë fare drejtorin aktual.
Edhe pronarët kinezë janë të dëshpëruar dhe për këtë kanë frenuar firmën me anësorin e majtë brazilian të Shahtar Doneck, Bernard, i cili del i lirë në fund të sezonit.
Deri tani Milani ka firmosur me mbrojtësin Striniç dhe portierin Reina, të dy falas, por pronarët e Milanit kanë parë ndeshjen kundër Beneventos dhe janë bindur se shumë gjëra nuk shkojnë, ndaj nuk mjaftojnë disa përforcime falas për të ndërtuar një skuadër niveli dhe për këtë faj ka drejtori sportiv.