Mund të investosh pa fund, por suksesi do kohë që të vijë, ose të paktën nuk ecën gjithçka “vaj”. Milani e nisi sezonin e disa fitore rresht, por në ndeshjen e parë të vërtetë u shkërmoq, sepse u mund 4-1 sot nga Lacio.
Lacialët fituan Superkupën ndaj Juves në verë dhe konfirmuan se kanë një skuadër të shkëlqyer, por edhe një sulmues në formë të mrekullueshme si Imobile.
Pas gjysmë ore lojë të dobët, Lacio fitoi një 11-metërsh të dhuruar në mënyrë naive nga Kesie dhe Imobile nga pika e bardhë nuk fali. Që aty nuk pati kthim pas, sepse 4 minuta më vonë Imobile shënoi golin e dytë dhe Milani u dorëzua.
Në minutat 48 e 50 Imobile e Luis Alberto shënuan edhe dy herë, ndërsa Montolivo në minutën e 56-të mposhti Strakoshën e pafajshëm, i cili zhvilloi një ndeshje mjaft pozitive, sepse ndali disa gjuajtje të Milanit dhe ishte mjaft i qetë e i sigurt në portë.
Ndalesa e parë, rënie e fortë për Milanin, që ka shumë punë për të bërë.