Shpesh thuhet që në Angli luhet futbolli më i bukur dhe ku nuk ka ndeshje të lehta as për skuadrën më të fortë të Premier Ligës.
Përtej mentalitetit anglez, një arsye e rëndësishme është aspekti financiar dhe aty Anglia ndryshon si nata me ditën me pjesën tjetër të botës.
Në sezonin e fundit Premier Liga u ka dhënë në total klubeve rreth 2.4 miliardë sterlina, 2.7 miliardë euro, një çmenduri, që lë me vite dritë larg Spanjën e Italinë, për shembull.
Përveç kësaj, nëse Reali, Barcelona, Juventusi, Interi e Milani marrin disa herë më shumë se klubet e vegjël, në bazë të emrit të madh dhe rëndësisë në aspektin televiziv, në Angli nuk ndodh kështu.
Premier Liga i trajton thuajse njësoj gjithë klubet dhe diferenca në fitime është e vogël.
Çelsi, Liverpuli e skuadrat e Mançesterit fitojnë më shumë nga fakti që transmetohen më shumë Live në televizion, por pjesën tjetër e vendos renditja finale dhe sido që të shkojë, klubet e vegjël kanë përfitime kolosale.
Kështu, Sandërlendi i rënë nga Premier Liga ka përfituar 93,4 milionë sterlina, çka do të thotë 106 milionë euro, 3 milionë më shumë se Juventusi për sezonin e shkuar. Po Peskara e Palermo?