Tirana ka një sfidë të rëndësishme të shtunën. Përballë do të ketë Kukësin e vendit të dytë dhe bardheblutë synojnë të marrin pikët maksimale. Sigurimi i qëndrimit në Superiore është objektivi parësor në kampin kryeqytetas, ndërkohë që paralelisht do mundohen të fitojnë edhe Kupën e Shqipërisë.
Trajneri Ardian Mema këtë herë do ta ketë grupin më të plotë. Dorian Kërçiku e ka shlyer pezullimin prej kartonëve të verdhë dhe mund të llogaritet për ndeshjen me Kukësin. Gjithsesi rikthimi i madh e ka emrin Majkëll Ngo.
I pezulluar me pesë ndeshja pas ndeshjes me Laçin, gjiganti anglez ka shlyer tre prej ndeshjeve dhe referuar rregullores për të luajtur ndeshjen e radhës duhet të paguajë gjobën prej 2 milionë lekësh (1 milion për ndeshje) dhe të shlyejë kështu pezullimin e Disiplinës.
Ngo është një lojtar shumë i rëndësishëm për Tiranën dhe normalisht gatishmëria e tij është një lajm i mirë. Gjatë kësaj periudhe ai ka pasur një dëmtim, por rikuperimi i tij ka shkuar mirë dhe sulmuesi shtatlartë është gati për lojë.