Milinkoviç: Presim dhe një lojtar, duhet perfeksion

Tekniku serb i kampionëve flet për aventurën që ka nisur prej një muaji dhe shuan çdo polemikë për ish-trajnerin Ernest Gjoka

Jurgen Zela

Ka një detyrë mjaft të vështirë, të fitojë të gjithë trofetë e mundshëm. Trajneri Mlladen Milinkoviç, pasi bëri mirë një sezon më parë me Luftëtarin, synon suksesin e madh në krye të kampionëve. Plot një muaj në krye të verilindorëve dhe tashmë

49-vjeçari ka injektuar filozofinë e tij të lojës. Për “RTSH Sport”, tekniku serb ka folur rreth aventurës si “timonier” i kuksianëve. Nga gjendja e skuadrës, tek emrat e përveçëm, që ai i konsideron të një rëndësie të veçantë. Polemika me ish-trajnerin Gjoka? Për Milinkoviçin ka qenë një keqinterpretim, pasi notat e vlerësimit për paraardhësin e tij janë të larta.

– Profesor Milinkoviç, prej gati dy javësh peni punuar me ekipin në Ohër. Si kanë shkuar përgatitjet, si është gjendja e skuadrës?

– Kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore për të parë dobësitë, por dhe gjërat e mira. Kemi bërë disa gabime, që duhet t’i korrigjojmë. Vetëm duke luajtur, lojtarët harmonizohen me njëri-tjetrin për të krijuar grupin e duhur. Janë bërë disa gabime taktike, që duhet t’i korrigjojmë. Jemi përmirësuar, por ende nuk jemi aty ku duhet. Lojtarët janë të lodhur, por dhe pak të frikësuar, pasi kanë ndryshuar stilin e lojës. Besoj se kur të ulim ngarkesën ata do të çlirohen dhe do të krijojnë më shumë volum.

– Nëse mund të bëni një diferencim, nga cili repart jeni më i kënaqur?

– Jam i kënaqur si në fazën mbrojtëse, ashtu dhe në fazën sulmuese. Ajo që dëshiroj më shumë është që mesfushorët e qendrës të marrin lojën përsipër. Marrim si shembull dy qendërmbrojtësit, Shametin dhe Allëm, të cilët i kanë fituar të gjithë dyluftimet në ajër, por kemi parë edhe disa gjëra, që mund t’i korrigjojmë, pasi janë lojtarë vërtet shumë cilësorë.

– Merkatoja është drejt mbylljes, prisni ndonjë prurje të fundit?

– Kam folur së fundmi me presidentin dhe i kemi ndryshuar pak planet, pasi duam të afrojmë një tjetër lojtar, që të jetë vërtet cilësor. Me skuadrën kemi dhe tre elementë të rinj, si Koldashi, Ethemi dhe Joti, të cilëve do të mundohemi t’u krijojmë hapësira për t’u aktivizuar në kampionat.

– Pak ditë më parë komentuat stilin e lojës dhe kjo gjë shkaktoi polemika, nëse mund t’i cilësojmë kështu me trajnerin Gjoka…

– Polemikat me Gjokën e ka krijuar media. Kam respekt për punën e bërë nga trajneri Gjoka. E kam mik. Jo vetëm për të, por për asnjë koleg nuk e kam zakon të flas keq. Është shumë e vështirë, që një trajner të bëjë atë që bëri Gjoka sezonin e shkuar me Kukësin. Jo unë, por askush nuk mund t’i mohojë këto gjëra. E kam thënë dhe e them se ne do të ndryshojmë stilin e lojës, pasi nuk i kemi në dispozicion lojtarët që kishte trajneri Gjoka. Ai kishte ata lojtarë dhe atë stil loje zgjodhi. Rezultatet i dhanë të drejtë.

– Çfarë do të ndryshojë te Kukësi?

– Në futboll kanë më shumë rëndësi rezultatet, askush nuk mban mend detajet. Kushdo mban mend kush fiton kampionatin apo Kupën. Në këto ekipe të mëdha, presioni është i madh dhe çdo ndeshje duhet ta fitosh. Puna e trajnerit është shumë e vështirë. Të gjithë shohin orarin e stërvitjes, apo një ndeshje futbolli, por nuk shohin punën që bëhet. Nëse nuk fiton, të thonë që nuk ke punuar sa duhet. Dua të luajmë futboll të bukur.

– Vitin e shkuar Kukësi hoqi dorë nga kupa, duke u fokusuar vetëm në kampionat. Mund të ndodhë sërish kështu?

– Kukësi e kishte fituar kupën dhe fitoi kampionatin. Tani presidenti, meqë i ka fituar të dyja, i do përsëri. Objektivi është të fitojmë si kampionatin, ashtu dhe kupën.

– Si do ta përshkruanit veten për nga metodologjia e punës që zhvilloni?

– Besoj se jam një njeri shumë i thjeshtë, por në fund dua që gjithçka të jetë perfekte. Kërkoj shumë nga lojtarët, por dhe besoj se u jap lojtarëve. Kudo që shkoj, u them që presionin do ta mbaj unë dhe ata janë pas meje, të jenë të qetë dhe të bëjnë punën e tyre. Gjithnjë mundohem të krijoj një grup të harmonizuar. Për mua janë të rëndësishëm jo vetëm lojtarët që janë në 18-she, por dhe ata jashtë saj. Disiplina për mua është elementi i parë, që duhet të ketë një ekip, por dhe të kenë respekt për punën që bëjmë. Respektoj mundin, lodhjen, stresin, presionin, por kur diçka e do shumë, nuk ka vështirësi që nuk mund të kapërcehet.

– Çdo skuadër ka elementët e saj të pazëvendësueshëm, mund të veçoni ndonjë kërkesë për presidentin gjatë merkatos?

– I kam kërkuar presidentit me çdo kusht që Shameti të jetë pjesë e ekipit, pasi sezonin e shkuar, në 4 ndeshjet që luajtëm kundër Kukësit, pashë që ai mund të bëhet dora e djathtë e një trajneri. Bashkë me kapitenin Hallaçi, mund të drejtojnë nga fusha dhe lojtarët i respektojnë. Nuk jam trajner që ka 3-4 lojtarët e tij, që i merr me vete në çdo ekip, sepse çdo ekip kërkon lojtarë të ndryshëm. Në këtë profesion, nëse nuk ke rezultate, është problem. Kur të largohem nga Kukësi, dua të iki i lumtur dhe i gëzuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online