Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, kthehet këtë fundjavë për herë të parë si kundërshtar në qytetin e gurtë. Trajneri serb nuk e fsheh që ka emocione dhe ka fjalë shumë të mira për Gjirokastrën, ku ka ende shumë miq, pavarësisht nga largimi me polemika.
Si e pret kthimin në Gjirokastër, duke pasur parasysh ndarjen?
Është një ndeshje si gjithë të tjerat. Jam i kënaqur që kthehem në Gjirokastër, kam kaluar një vit shumë të mirë atje. Tifozeria dhe qyteti janë treguar shumë të mirë me mua, jam i dashuruar me atë qytet, ku do ritakoj shumë miq të vjetër, ndaj jam i kënaqur që kthehem aty. Jam nga njerëzit që kujtoj vetëm gjërat pozitive që ndodhin në jetë.
Pritja në Gjirokastër?
Nuk ka rëndësi mënyra si ika, janë gjëra që ndodhin. Unë kthehem në një qytet mik, do kem kohë të bisedoj me ta.
A keni pasur kontakte me lojtarët?
Po, kam pasur. Gjithmonë përshëndetemi, kemi marrëdhënie të mira dhe secili vazhdon punën e vet.
Çfarë pret nga Luftëtari?
Do të jetë një ndeshje e vështirë. Luftëtari ka ekip cilësor, në Gjirokastër krijohet një atmosferë e nxehtë nga tifozët dhe gjithashtu Luftëtari sapo ka ndryshuar trajner, ndaj lojtarët do të kenë motivim shtesë për t’i treguar trajnerit sa vlejnë. Gjithsesi, për mua rëndësi ka që ekipi im të jetë i përqendruar dhe të bëjë lojën e vet, për të marrë atë që dëshirojmë. E njohim Luftëtarin, ka bërë ndryshime nga sezoni i shkuar, nuk janë më Liçaj, Bojom e Rexhinaldo.
Çfarë niveli ka arritur Kukësi?
Nuk jemi ende aty ku duhet, edhe për shkak të disa dëmtimeve. Megjithatë, në momente të caktuara kemi treguar si duam të luajmë dhe me kalimin e ndeshjeve do të përmirësohemi. E rëndësishme është që në këtë moment të marrim pikët e plota dhe të ruajmë ose shkurtojmë distancën nga kreu.
A është problem konkurrenca, duke parë edhe nervozizmin e Alijevit për uljen në stol?
Për ne nuk ka rëndësi kush luan, rëndësi ka të shënojmë e fitojë. Për lojtarët është e rëndësishme, por ne shohim rezultatin.
Pas disa lojtarëve të zbuluar vjet në Gjirokastër, tani Ethemi është një surprizë. A keni lojtarë të tjerë të rinj në fokus?
Që në takimin e parë me presidentin, qëllimi ishte që Kukësi të luante futboll të bukur dhe në vazhdimësi të evidentonim ndonjë lojtar të talentuar. Deri tani Ethemi ka rënë më shumë në sy, por kemi Koldashin, Jotin apo Sadikun, të cilët do të aktivizohen në kupë dhe pse jo në kampionat.
-Sa ju penalizojnë mungesat e Musollit, Shametit dhe Zeqirit?
Për çdo trajner do ishte mirë që t’i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion dhe natyrisht do të doja që Shameti e të tjerët të ishin në dispozicion. Megjithatë, nuk mund të bëjmë asgjë dhe po i gjemë alternativat brenda grupit.