Miliç: Apolonia, aksidentalisht në këto pozita

Apolonia ishte një nga skuadrat e Grupit B në Kategorinë e Parë, që në fillim të sezonit konsiderohej si një nga pretendentët kryesore për t’u renditur në kreun e këtij grupi. Gjithsesi, edhe pse ndryshuan trajnerin gjatë vitit 2019, përsëri fierakët qëndruan larg këtij objektivi, madje duke u renditur në grupin e pesë skuadrave që do të luftojnë për mbijetesë në Kategorinë e Parë.

Vetë trajneri serb, Rade Miliç, deklaron për SportEkspres.com se janë të shqetësuar për mosarritjen e objektivit kryesor për të qenë në pesë skuadrat e para të Grupit B. Ai thkeson se skuadra e tij do të luajë në vazhdimësi me seriozitet e grintë.

“Ne nuk ndjehemi të shqetësuar për pozicionin tonë në renditje, por vetëm për mosarritjen e synimit. Jemi aksidentalisht në këtë situatë. Tani na duhet të luftojmë për një objektiv të vështirë, që nuk e prisnim”, u shpreh Miliç.

Të shtunën skuadra fierake luan në transfertë me Egnatian, ndeshje që luhet në Shijak për shkak se fusha e Rrogozhinës është e dënuar nga Disiplina e FSHF-së. Këtë fakt Miliç nuk e quan shumë të rëndësishëm, ndërkohë që e ka skuadrën të kompletuar dhe shkon për fitore.

“Çdo ndeshje luhet për fitore, kështu që edhe të shtunën me Egnatian kemi të njëjtin objektiv. Skuadra është e plotë dhe e gatshme për tri pikët, për këtë po punojmë”, përfundoi tekniku serb i Apolonisë.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *