Në futboll lavdinë e marrin lojtarët dhe trajnerët, si dhe krenohen presidentët, por në të vërtetë çdo klub ka njerëz shumë të rëndësishëm të cilët veprojnë në prapaskenë dhe kanë në dorë shumë, në aspektin sportiv dhe financiar.
Një ndër personat më të aftë, emrin e të cilit jo shumë tifozë e dinë, është Ivan Gazidis, shefi ekzekutiv i Arsenalit. Prej javësh Milani i ka bërë një ofertë fantastike, duke vendosur në tryezë një shifër shumë më të madhe se 2.6 milionë sterlinat që afrikano-jugori merr në Emirates. Klubi kuqezi, tashmë nën pronësinë e grupit Elliott, i ka lënë kohë “gjeniut” të Arsenalit, për të vendosur deri në vjeshtë.
Gazidis e ka kthyer Arsenalin në një prej klubeve më të pasur në planet dhe do ishte njeriu i duhur për të rikthyer edhe Milanin në elitë, pas krizës së thellë financiare që ka pasur klubi italian në dekadën e fundit.
Tek Arsenali tashmë po e kuptojnë se Gazidis është i prirur për të pranuar ofertën e Milanit, por ndërkohë nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar dhe Milani pret përgjigje në fillim të shtatorit.
Më shumë se paratë, Gazidis mund ta joshë mundësia për të qenë i plotfuqishëm në klub, gjë që mund mos jetë e mundur tek Arsenali, duke parë se pronari Sten Kronke kërkon t’i japë një pozicion të rëndësishëm të birit të vet dhe ndërkohë nuk ka në plan të shtojë investimet për të ndërtuar një ekip të aftë të fitojë trofe.