Para pak javësh bëri bujë transferimi i Leonardo Bonuçit nga Juventusi te Milani, me një lëvizje rrufe, që habiti botën. Tani mbrojtësi është bërë një kapiten dhe lider në Milano, edhe pse sapo ka nisur karrierën aty, por duket se ka në plan të bindë edhe një ish-shok skuadre që të bashkohet me të.
Tashmë në mediat italiane po qarkullon lajmi se Milani kërkon edhe Klaudio Markizion, për të kompletuar një merkato spektakolare.
Fillimisht Milani ka kërkuar informacione te Juventusi në lidhje me situatën e mesfushorit dhe duket se Juve nuk ia ka mbyllur derën, ndaj tashmë është gati oferta zyrtare.
Juve kërkon shumë, natyrisht, edhe për faktin se Markizio është futbollist i rritur te klubi bardhezi dhe kjo vlen edhe për listat e federimeve, por e vërteta është se vetë Markizio nuk është fort i kënaqur me hapësirat në Torino dhe pas mungesës në Superkupë, ka parë Juven të blejë francezin Matuidi dhe të kërkojë edhe një mesfushor tjetër qendror.
Mesfushori nuk polemizon, por ndërkohë një transferim te Milani e tundon, aq më shumë që edhe Bonuçi e ka bërë ndonjë telefonatë për ta bindur që të zgjedhë projektin e ri kuqezi. Si rastësisht, Juventusi po interesohet për Manuel Lokatelin e Milanit, edhe ky mesfushor qendror, por edhe Bonaventura mund të përfshihet në bisedime.