Milani kërkon arkitektin e “Topçinjve”, Arsenali i mbyll derën

Trajneri i Arsenalit, Unai Emeri, është i bindur se Ivan Gazidis do të qëndrojë tek Arsenali, edhe pse prej ditësh sa vijnë e shtohen zërish se shefi ekzekutiv i klubit anglez do të bëhet drejtor ekzekutiv i Milanit.

Sipas Sky në Itali Gazidis do të kalojë në Itali në shtator, pasi është njeriu i zgjedhur nga Elliot Management për të ringritur Milanin dhe ka marrëdhënie mjaft të mira me pronarin e Elliot, Pol Singer.

Gazidis punon për Arsenalin prej vitit 2008 dhe është ndër arsyet pse klubi londinez është ndër më të pasurit në botë. Edhe kur u largua Venger, Gazidis vendosi që trajneri i ri të ishte Unai Emeri dhe spanjolli tani beson se shefi i tij nuk do të largohet për në Milano.

“Flas përditë me Gazidis. Ai ka qenë i përkushtuar për shumë vite dhe mendoj se do të vazhdojë me ne, sepse është një projekt madhor dhe përkushtimi i tij ndaj Arsenalit është i madh. Ne flasim çdo ditë për çdo vendim për klubin tonë”, ka deklaruar Emeri.

Ndërkaq, Arsenali ka publikuar një komunikatë zyrtare në lidhje me spekulimet për Gazidis: “E dimë që ai është një figurë shumë e respektuar dhe merr shumë oferta, por nuk ka pranuar asnjë prej tyre dhe nuk ka folur kurrë publikisht për to. Ai ka qenë gjithnjë shumë i përkushtuar për ta çuar Arsenalin përpara dhe aktualisht po punon në Singapor me trajnerin tonë Emeri, për të qenë gati për sezonin e ri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *