Milan po kërkon liderët për t’i vendosur në krye me qëllimin që ekipi kuqezi të kthehet në majat e futbollit. Alesio Romanjoli do të jetë figura më e rëndësishme e projektit të ri të Milanit. Pas largimit të Montolivos, mbrojtësi i qendrës është i destinuar të jetë kapiteni i ri i Milanit.
24-vjeçari shihet si i aftë për të motivuar gjithë ekipin në luftën e madhe që u paraprin. Përtej ofertave të shumta drejt tij, Milani nuk ka ndërmend ta nxjerrë në merkato. Disa ekipe të mëdha evropiane kanë shfaqur interes të madh për italianin, përfshirë edhe Juventusin.
Milani nuk ka ndërmend ta shesë. Ata kanë një projekt të ri, ku një nga “ingranazhet” kryesore është Romanjoli. Kontrata e tij përfundon në vitin 2022 dhe në fund të sezonit të ardhshëm pritet të diskutohet një rinovim me pagë shumë më të përmirësuar.