Bonuçi blindon mbrojtjen, mesfusha me Bilian është kompletuar, Donaruma qëndroi. Çfarë i mungon Milanit? Një sulmues klasi! Ka ardhur Andre Silva, por është i ri e pa eksperiencë, ndërkohë që do të largohen Lapadula, Baka e Niang.
Kjo do të thotë se Milani do të bëjë sforcimin e fundit të madh në tregun veror dhe tashmë pritet bomba e radhës, sepse presidenti Jonghong Li ka premtuar një surprizë të madhe.
Emrat qarkullojnë prej ditësh, por sot administratori i deleguar Marko Fasone ka zyrtarizuar se bëhet fjalë për një listë prej 3 emrash, prej nga do dalë sulmuesi i ri: “Kur të kthehemi në Itali, pas turneut në Kinë, do të vazhdojmë në rrugën e nisur. Po i mbajmë hapur gjithë opsionet dhe do të bëjmë diçka të bukur. Andrea Beloti, Álvaro Morata ose Pier-Emerik Obamejang: të shohim cilin prej tyre do të arrijmë të marrim, por gjithsesi ka edhe emra që nuk kanë dalë në dritë”, tha Fasone sot.
Beloti është shumë pranë, sipas mediave në Itali, sepse preferon Milanin, por a mund të ketë ndonjë surprizë të bujshme?