Përveç largimit të Gonzalo Higuain, te Milani përflitet dhe Hakan Çalhanoglu, i cili gjithashtu është thuajse i larguar nga ekipi kuqezi. Sipas raportimeve të fundit në mediat italiane, Lajpcig ka arritur akordin me drejtuesit e “djallit” për të derdhur në arkat e klubit 22 milionë euro.
Tashmë, pritet vetëm të jepet dhe “ok” nga Gatuzo dhe çdo gjë do të mbyllet. Diçka tjetër që vërteton këto spekulime, është dhe fakti se Leonardo duket se e ka gjetur zëvendësuesin e turkut. Arnaut Gruenveld është mesfushori, i cili duket se ka marrë vëmendjen e Leonardos, që duket i bindur për holandezin.
Gruenveld aktivizohet me Klub Bryzh dhe premton shumë për të ardhmen. 21-vjeçari gjithashtu është grumbulluar dhe ka luajtur së fundmi dhe me kombëtaren e Holandës. Tashmë, pritet se çfarë ofertë do të bëjnë kuqezinjtë në drejtim të belgëve të Bryzhit, të cilët e blenë për vetëm 1 milionë euro nga Nek Nijemegen.