Milan-Juventus është gjithmonë një ndeshje spektakolare dhe e bukur për t’u parë. Dy ekipet do të përballen të dielën në mbrëmje në “San Siro”, me kuqezinjtë e Gatuzos që kërkojnë fitoren për të vazhduar të jenë në zonën Champions, ndërsa djemtë e Alegrit kërkojnë të vazhdojnë marshimin e tyre në kampionat.
Për sfidën në fjalë kanë folur dhe dy-ish trajnerë të mëdhenj të ekipeve respektive: Arrigo Saki dhe Marçelo Lipi. I pari revolucionoi futbollin italian dhe atë europian me Milanin magjik të holandezëve, ndërsa i dyti ka fituar gjithçka me bardhezinjtë dhe është trajneri i fundit, i cili ka sjellë Champions Ligën në Torino, 22 vite më parë.
Në një prononcim për “Gazzetta dello Sport”, Saki vlerëson kualitetin e Juventusit, i jep këshillat e duhura Gatuzos dhe shpreson e mendon në një fitore të Milanit, ndërsa Lipi mendon ndryshe. Juventus është më lart, ekipi është i zemëruar pas humbjes kundër Junajtid në Champions dhe stadiumi i Milanos i sjell fat bardhezinjve.
SAKI – “Gatuzo ka një mal me të dëmtuar dhe duhet të përballet me ndeshjen e jetës në kushte të pasigurta. Përveç ekuilibrit dhe përqendrimit, kjo ndeshje kërkon organizim, forcë fizike, agresivitet dhe shpejtësi në qarkullimin e topit. Juventus është favorit për kontingjentit e lojtarëve dhe aftësinë për të zgjidhur ndeshjen në çdo moment, por futbolli është si jeta: nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë”
LIPI – “Do të jetë e vështirë për Milanin, sepse Juventus është i zemëruar për humbjen e parë në këtë sezon dhe mënyrën se si erdhi. Ronaldo? Ai është një makinë golash dhe vendimtar. Sa i përket ndeshjes, mendoj se do të fitojë Juventusi. ‘San Siro’ është shtëpia e dytë e bardhezinjve, të cilët zhvillojnë ndeshje të mëdha në këtë stadium. Më kujtohet një fitore 1-6 kundër Milanit dhe shumë ndeshje të mëdha kundër Interit. Megjithatë, një ditë fantastike për kundërshtarët mund të ndodhë gjithmonë.”