Marrëdhëniet mes Milanit dhe Interit kanë filluar të përmirësohen mbas ndryshimit të drejtuesve të kuqezinjve të Milanit. Të dy klubet milaneze po mendojnë të arrijnë një dakortësi mes tyre për të marrë me koncesion stadiumi “San Siro” për 99 vitet e ardhshme.
Klubet paguajnë qera për stadiumin mitik, ndërsa tashmë janë gati për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me Bashkinë e qytetit. Me qëllimin për të vazhduar bashkëjetesën e tyre në “San Siro” për shekullin e ardhshëm. Bashkia ka vendosur së fundmi të shpenzojë 15 milionë euro për mirëmbajtjen e stadiumit dhe është e hapur për idenë e dy klubeve të qytetit.
Drejtuesit e Milan dhe Inter do të takohen në javët e ardhshme për të përcaktuar planin e tyre të përbashkët, me të cilin do të paraqiten në tryezën e bisedimeve me Bashkinë e Milanos.
Diçka e mirë për tifozët, të cilët do të kenë mundësi të vazhdojnë të qëndrojnë në “shtëpinë” e tyre, ndërsa klubet mund të pësojnë një rritje ekonomike që do ti rikthente në nivelet e larta të futbollit botëror. Situata është zhbllokuar dhe të dy klubet janë gati për të menaxhuar së bashku stadiumin historik, duke u përballur me rinovimin dhe modernizimin e stadiumit, pa humbur hijeshinë historike të tij.
Rruga është akoma e gjatë, por hapi i parë është hedhur dhe klubet do të takohen në fillim mes tyre dhe pastaj do t’i propozojnë Bashkisë idenë për të marrë stadiumin më koncesion për 99 vitet e ardhshme.