Në fund të qershorit, Sinisha Mihajloviç pranoi ofertën e Sportingut të Lisbonës dhe nënshkroi për tre vite me klubin portugez, por vetëm 10 ditë me vonë, ai u shkarkua në mënyrë të çuditshme. Klubi pësoi ndryshime dhe drejtuesit e rinj vendosën për të shkarkuar trajnerin serb.
Ky i fundit nuk e harroi kurrë gjestin dhe e ka çuar çështjen në KAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv). 49-vjeçari pretendon që është pushuar nga puna pa asnjë shkak. “E pranova ofertën e Sportingut me një entuziazëm të madh, siç ndodh gjithmonë, kur nis një aventurë të re sportive. Këtë herë bëhej fjalë të shkoja në një kampionat prestigjioz dhe të ri për mua. Gjatë tratativave mora të gjithë informacionin dhe masat e nevojshme. Kurrë nuk do e besoja që nga pankina do të gjendesha në një sallë gjyqi për të mbrojtur të drejtat e mia, që ishin shkelur”, flet Mihajloviç për “Gazzetta dello Sport”, i cili vazhdon e tregon ngjarjen dhe insiston në të drejtën e tij.
“E konfirmoj që u shkarkova pa asnjë shkak nga Sportingu, pak ditë para nisjes së kontratës, që do të më mbante për tre vite në Lisbonë. Në mes të qershorit shkova në Lisbonë për të negociuar me drejtuesit e klubit për rrogën time dhe të stafit. Me 18 qershor nënshkruam kontratën tre-vjeçare, që do të niste me 1 korrik. Disa ditë më vonë, presidenti Bruno De Karvajo u shkarkua nga Asambleja e përgjithshme dhe me datë 27 qershor, klubi më shkarkoi nga detyra me pretendimin që nuk e kisha kaluar periudhën e provës të përcaktuar nga rregullat portugeze të futbollit për kontratat midis klubeve dhe trajnerëve.
Ky shpjegim dhe ky shkak është absolutisht i pabazë, sepse në atë moment kontrata ime nuk kishte nisur dhe unë isha akoma me pushime në Sardenjë. Unë dhe stafi im kemi mandatuar një studio ligjore për të vazhduar procedurat ligjore në KAS. Duam kompensimin e parashikuar në kontratë në rastin e një shkarkimi. Dosja është bërë gati dhe dje nisi procesi. Më mbetet të pres dhe në 30 vite karrierë nuk më kishte ndodhur kurrë një sjellje e tillë. Por, unë do të mbroj të drejtat e mia dhe kjo është e qartë”, përfundon Sinisha Mihajloviç.