Katër humbje në po kaq ndeshje të luajtura në trasfertë në këtë sezon. Luftëtari vazhdon të vuajë, duke pësuar humbjen e dytë radhazi në kampionat, ku edhe pse kundërshtarët ishin Skënderbeu dhe tashmë Partizani (dy pretendentë për titullin), bluzinjtë duhej të bënin diçka më tepër për t’u larguar nga zona e rënies nga kategoria. Për “Gol pas Goli” në “SuperSport”, trajneri Gentian Mezani deklaroi:
“Më kënaq loja, nuk diskutohet, agresiviteti që treguam, por jemi të mërzitur. Do të ishte një pikë mjaft e mirë. Ia arritëm në pjesën e parë, por në të dyja pjesët e lojës ishim në ekuilibër, gjithsesi vuajtëm nga krahët ku Partizani ka dy lojtarë si Mala dhe Asani, të shpejt dhe teknikë, aty ku erdhi edhe penalltia”.
“Dunga? Nuk e ka eksperiencën e duhur dhe ka luajtur pak ndeshje. I dimë cilësitë e Shkurtarj dhe dëmtimi i tij i shpejtë na penalizoi në fazën sulmuese, ku po vuanim dhe na u vështirësua puna. Çfarë i mungon ekipit, mbi të gjitha jashtë fushe? Mendoj se është përqendrimi. Në disa momente të lojës neglizhojmë. Padiskutim edhe mungesa e Rrocës që është një lider, i ka munguar shumë skuadrës. Me rikthimet e Rrocës dhe Aleksit në javët në vazhdim shpresojmë të rikthehemi te rezultatet pozitive, të cilat janë shumë të rëndësishme”.
“Dëmtimin e shkurtajt do ta vlerësojmë nesër, kishte një kontraktim dhe nuk duhej të rrezikonim për një dëmtim më të rëndë. Ndërsa, për ndeshjen me Kastriotin është një sfidë shumë e vështirë. Duke parë edhe rezultatin e parë, ata janë një skuadër që pavarësisht pozitës ka vënë në vështirësi edhe Kukësin. Ne do të mundohemi që të rrisim performancën, të shkojmë atje dhe të marrim rezultat pozitiv”.
“Pretendime për golin e parë të Partizanit? E besoj portierin, që me tha se ka patur pak shtytje që mos të kishte kërcimin e duhur. Nuk mendoj që arbitri e ka bërë me vetëdije, por ndoshta nuk e ka parë, ose e ka parë në mënyrë ndryshe nga ne. Por tashmë gjithçka ka përfunduar dhe nuk ia vlen ta diskutojmë më”.