Artan Mërgjyshi, trajneri i Laçit, pas ndeshjes së fituar me Luftëtarin ka folur në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Tekniku kryeqytetas i gëzohet tre pikëve dhe thekson se nuk kanë vjedhur asgjë.
“Me rëndësi është që morëm tre pikët, që ishin të domosdoshme. E dija se do ishte e vështirë, edhe pse ata kishin humbur ndeshjen e parë. Prej humbjes ishin më të karikuar. Na buzëqeshi fati në fund, por nuk vodhëm asgjë. E kërkuam deri në fund, patëm mundësitë tona, sikurse kundërshtari. Në tërësi ishim më agresivë. Fati ndihmon atë që e kërkon”.
“Shumë të rinj, por e zgjidhin veteranë? Janë lojtarë të rëndësishëm. Kemi kërkuar lojtarë me cilësi dhe eksperiencë. Rinia ka vrullin, atë që e zgjidhin janë ata me eksperiencë.”
“Pjesa e parë ngërç? Në çdo ndeshje është e vështirë të marrësh maksimumin. Kundërshtari do tregojë vlera, edhe pse s’ka marrë pikë. Na e bënë të vështirë në pjesën e parë. Kemi trysni në ndeshjet brenda, kemi edhe ekip të ri. Kërkojmë t’i eliminojmë luhatjet. Mundohemi t’i rregullojmë gabimet. Me rëndësi që kemi mentalitet të mirë dhe gjendje fizike.”
“Afrimet kur do jenë gati? Me rëndësi ishte të bënim mirë në tre ndeshjet e para. Kemi një ndeshje në Korçë. Me organikën që kemi, kemi bërë mirë. Duhet të jemi më të kujdesshëm, që të bëjmë zgjedhjet e duhura. Afrimet janë lojtarë me cilësi, por nuk janë në gjendjen optimale. Do jenë në fushë pasi të mbarojnë ndeshjet e kombëtares”, përfundon trajneri i bardhezinjve.