Menaxheri i Allës: Klauzola e Europës, e paligjshme

Për gazetën flet Fotis Paparegas, i cili sqaron situatën e klientit të tij dhe komenton kërkesën e Kukësit që Alla të kthehet për ndeshjet në kupat e Europës

Albi Alla dhe Kukësi, një binom perfekt sezonin e fundit, por sa larg janë tani! Jo thjesht në aspektin gjeografik, sepse Alla është në Greqi, por mbi të gjitha për faktin se qendërmbrojtësi refuzon të luajë në kupat e Europës me Kukësin, duke qenë se i ka përfunduar kontrata me klubin kampion të Shqipërisë. Te Kukësi tregojnë kontratën dhe klauzolën që e detyron Allën të vazhdojë edhe në kupat e Europës, nëse arrihej kuy objektiv, por këtu lind problemi madhor: vetëm në Shqipëri aplikohen klauzola të tilla, pasi të luajturit në kupat e Europës i përket sezonit të ardhshëm, ndaj duhet firmosur detyrimisht një kontratë e re. Alla me të drejtë kujton rastin Liridon Latifi: ylli i Skënderbeut luajti korrikun e shkuar i huazuar te Kukësi, u kthye te Skënderbeu dhe në janar “u dogj”, sepse nuk lejohet të transferohej në kampionate që ashtu si i yni, luajnë në periudhën vjeshtë-pranverë (2 klube në një sezon është maksimumi i lejuar për një futbollist).

Në lidhje me këtë çështje, “Sport Ekspres” ka kontaktuar menaxherin e Albi Allës, grekun Fotis Paparegas, i cili është pjesë e agjencisë ACE Management, që ndër klientët e vet ka edhe Konstantinos Manolas, ylli i Romës në Serinë A. Paparegas me mirësjellje ka pranuar të flasë për problemin e Allës me Kukësin, duke shpjeguar arsyet pse qendërmbrojtësi ka të drejtë të mos kthehet, nëse nuk i ofrohet kontratë e re. Rinovim me Kukësin? Paparegas është i hapur për çdo ofertë, edhe nga Kukësi…

 

Zoti Paparegas, prej sa kohësh jeni menaxheri i Albi Allës?

Prej 5-6 muajsh.

A jeni në dijeni të klauzolave që Kukësi ka vendosur në kontratën e Allës verën e shkuar?

Kontrata e Albi Allës ka klauzola të shumta, për titullin, kualifikim në kupat e Europës, arritjen e objektivave, e shumë të tjera.

E kemi fjalën për klauzolën që e detyron Allën të luajë edhe në kupat e Europës për Kukësin.

Shikoni, Albi zhvilloi një sezon të mirë me Kukësin. Ai është shpallur kampion dhe është anëtar i kombëtares dhe është shumë i lumtur për këtë. Kishte një kontratë për një sezon me Kukësin, ajo kontratë ka përfunduar. Kontrata e tij është brenda rregulloreve të FIFA-s dhe do të zbatojë ato, asgjë tjetër. Kaq, gjithë të tjerat janë diskutime pa vlerë.

A keni biseduar kohët e fundit me përfaqësues të Kukësit?

Askush nga Kukësi nuk më ka telefonuar në lidhje me oferta të reja. Kontrata e Allës ka përfunduar.

Kukësi pretendon se Alla duhet të kthehet dhe prej dy ditësh kanë nisur gjobat ndaj tij.

Sipas ligjit, një kontratë ka një kohëzgjatje në bazë të periudhave të transferimeve. Një vit, një vit e gjysmë, etj. Kontrata fillon dhe përfundon në afatet e lejuara të dritareve të merkatos, jo më tej. Nëse Alla ka firmosur për sezonin 2016/17, nuk lejohet me ligjet e FIFA-s që në bazë të asaj kontrate ai të vazhdojë të luajë deri në korrik apo gusht 2017, sepse në 1 korrik nis zyrtarisht sezoni i ri.

A i druheni një beteje ligjore me Kukësin?

Jo, absolutisht. Nëse Kukësi dëshiron, le ta çojë çështjen në gjyq, nuk ka asnjë problem. Unë mund të them që jemi një kompani shumë e madhe, kemi besim te departamenti ynë ligjor dhe unë flas në bazë të letrave, të dokumentacionit dhe të rregullores së FIFA-s. Ne zbatojmë ligjet e futbollit të FIFA-s dhe UEFA-s.

E ardhmja e Allës, ku mund të jetë?

Para fundit të këtij sezoni shumë klube më kanë kontaktuar në lidhje me situatën e tij dhe ka interesim për të. Ende nuk kemi vendosur, është ende herët.

Po Kukësi, a do të ishte një opsion për sezonin e ardhshëm?

Kukësi nuk na ka bërë ende asnjë ofertë për të ardhmen. Unë jam i gatshëm të bisedoj me drejtuesit e klubit, e kam për detyrë të flas dhe t’i përgjigjem çdo oferte nga çdo ekip, nga e gjithë bota, dhe Kukësi nuk bën përjashtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *