Gëzuar De Biazi, urojmë që të mos mbetesh më i miri!

Xhani De Biazi sot ka ditëlindjen, mbush 61 vjeç. Zor se ka pasur ndonjë ditëlindje më të trazuar e me stres. Për herë të parë pas disa vitesh e feston ditëlindjen duke mos qenë trajneri ynë, por duke i uruar “Gëzuar”, i themi që do të mbetet Trajneri ynë!

Mitologjia greke na mëson se nëse fluturon shumë pranë diellit, dylli do të të shkrijë dhe flatrat nuk do të mbajnë më. Fatkeqësisht dhe fatmirësisht, ne fluturuam, i shkuam shumë pranë diellit dhe ndoshta për pak kohë u verbuam. Nuk jemi mësuar të shkojmë në Europianë e Botërorë, e shumta i prishim punë ndonjë Gjermanie e mundim ndonjë kampione Europe si Greqia, për ta kthyer në festë kombëtare.

Vera e shkuar ishte një delir total, por pas Europianit filluam të mendonim se mund të linim pas edhe ndonjë Spanjë a Itali, a thua se pas 100 vitesh futboll, krejt papritur e kuptuam që qenkemi superiorë ndaj gjithkujt. Edhe De Biazi vetë na e bëri qejfin, duke deklaruar se vendi i parë ishte i vështirë, por do të luftonim për të dytin. Kishte të drejtë të thoshte gjithçka dhe nuk mund të kritikohej. Ishte viti i tij, ishte viti i Klaudio Ranierit: për ne, kualifikimi në Europian ishte më madhështor se triumfi i Lester Sitit në Premier Ligë, fundja ata janë anglezë, nuk kanë komplekse inferioriteti dhe tentojnë çdo vit, ndërsa ne një herë në 4 vjet për Europianin e po ashtu për Botërorin, duke vendosur si objektiv vendin e katërt apo të tretë në grupe 5-6 skuadra.

Periudha pas Europianit nuk ka qenë e thjeshtë. Menduam se fluturimi do të vazhdonte, edhe pse kundër Maqedonisë fituam me shumë fat, ndërsa humbjet rresht ndaj Spanjës, Italisë e Izraelit na i prenë këmbët. Duke qenë se jemi të gjithë trajnerë, filluam t’i bënim gjyqin edhe De Biazit, si me gjysmë zëri. Fundja, ne i mundim vetë të gjithë, por De Biazi na duhej si “Kali i Trojës” për të fituar në Itali. Është sjellje normale, nuk jemi mësuar me sukses dhe kur e arrijmë, e fshijmë nga fjalori fjalën humbje. Problemi më i madh është se atmosfera rreth kombëtares filloi të bëhej e zymtë dhe pak nga pak po dukej ftohja me trajnerin.

Në mars De Biazi tha në mënyrë profetike, se nëse ai largohej nga Shqipëria, mund të krahasohej me pushimin nga puna të Ranierit te Lester Siti. Tani po ikën vetë, të paktën kështu na është thënë, ndaj nuk është një largim po aq i bujshëm, por ndoshta mënyra si largohet De Biazi është edhe më e hidhur se e Ranierit, Ky i fundit pagoi rezultatet e dobëta dhe marrëdhënien e acaruar me lojtarët kryesorë, por De Biazi e kishte mbështetjen e skuadrës, që jo rastësisht triumfoi në Izrael. De Biazit po i mungonte mbështetja nga të tjerët, kjo qëndron, sado të bëjmë sikur na tronditi shumë largimi i tij. Futbolli është i pamëshirshëm, sidomos në kohët moderne, ato të milionave dhe të “ushqimit të shpejtë”. Duam gjithçka, e duam tani, nuk presim dot. Nuk është se kemi një skuadër fenomenesh, e pranojmë të gjithë, por kur vjen puna te humbjet e kombëtares, nuk i pranojmë më. Jemi po ata që na ka mundur edhe Andorra, për shembull, por meqë kanë kaluar disa vite, nuk pranojmë t’i kujtojmë.

Tani De Biazi nuk është më trajneri ynë. Ishim rehatuar me të, kaq shumë vite me një trajner, i cili u bë shqiptar në shumë drejtime, u bë realisht një nga ne. Tani që iku, frika e madhe është se do ta kujtojmë gjithnjë me mall dhe do të themi: Si ai nuk vjen më te Shqipëria. Nuk ishte më i miri në botë, por ishte më i miri për ne. Është si në dashuri: nëse është dashuri e vërtetë, personi që ke në krah të duket më i bukuri në botë, për sa kohë dashuria është e pastër. Siç e tha vetë De Biazi, marrëdhënia e tij me Shqipërinë është si lidhjet dashurore, shpesh mbarojnë, në mënyrë natyrale. De Biazi nuk na tha a kishte mbaruar dashuria nga të dy krahët, apo vetëm nga njëra palë. Pak rëndësi ka, tani Xhani nuk është më trajneri ynë. Urojmë që dikush pas tij t’ia kalojë sa më shpejt, që të themi “Xhani, nuk ishe më i miri në historinë e Shqipërisë”. A do të ndodhë? Vështirë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online