E ardhmja e Ledian Memushaj është një dilemë. Edhe pse mesfushori shqiptar është grumbulluar me Peskarën në fazë përgatitore, mësohet se klubi italian dëshiron ta shesë këtë verë, në mënyrë që të përfitojë nga një transferim i mundshëm i tij. Te klubi bardhekaltër, Memushaj përfiton 500 mijë euro në sezon dhe Peskara, skuadër e cila nuk arriti të ngjitet në Serie A, preferon ta largojë mesfushorin shqiptar.
Mësohet se vetëm një skuadër është interesuar për Memushaj. Salernitana, që po ashtu militon në Serie B, është interesuar për shërbimet e Memushajt, por nuk preferon t’i paguajë asnjë qindarkë Peskaras, pasi kërkon ta transferojë futbollistin kuqezi si agjenti lirë. Memushaj ka dhe një vit kontratë me Peskarën dhe në rast se klubi dhe futbollisti shqiptar shkëpusin kontratën me konsensus, atëherë do të transferohej te Salernitana.
Megjithatë, ka edhe një problem tjetër. Memushaj kërkon pagë të njejtë edhe te ekipi i ri, gjë që nuk i është premtuar duke marrë parasysh moshën që ka mesfushori. Në të tilla kushte, Memushaj e vlerëson si një alternativë më e mirë qëndrimin te Peskara, edhe pse me shumë gjasa nuk do të ketë minutat e sezonit të shkuar.