Hysen Memolla luan prej një viti me Hajdukn e Splitit, ku është bërë një titullar fiks dhe pas paraqitjeve të shkëlqyera në Europa League këtë verë, ka bindur edhe trajnerin Kristian Panuçi ta bënte pjesë të kombëtares shqiptare.
Mbrojtësi 25vjeçar nga Kavaja nuk e fsheh që është befasuar nga grumbullimi, duke parë se sezonin e shkuar nuk pati asnjë sinjal nga De Biazi: “Nuk e prisja ftesën. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kombëtares. Do të jap gjithçka, sa herë të kërkohet kontributi im. Kisha dëshirë të bashkohesha më herët me kombëtaren,por futbolli është i tillë, është me shanse. Tani është shansi im dhe dua ta shfrytëzoj. Nuk kisha raporte me trajnerin De Biazi, ndaj nuk e prisja grumbullimin. Nuk e di çfarë ka ndryshuar tani, por jam shumë i lumtur që jam këtu.
“Pozicioni ideal? Luaj si mbrojtës i majtë, aty jap maksimumin tim. Luaj në një krah me kapitenin Agolli. Nuk e di sa shanse do të kem të zbres në fushë, unë jam këtu për të punuar. Agolli është kapiteni ynë dhe është lojtar shumë i mirë. Do të jap gjithçka në stërvitje, pastaj vendos trajneri.
“Ambientimi me grupin? Shumë mirë, shumë lojtarë po i njoh tani, po ambientohem mirë. Sfida kundër Lihtenshtejnit nuk duhet trajtuar si një ndeshje e thjeshtë. Duhet përqendrim maksimal, nuk ka ndeshje të thjeshta”.