Mema: Tirana e aftë të mundë këdo, çdo lojtar ka ciklin e vet!

Tirana e mbylli me një fitore vitin 2018 dhe tani është koha që të bëhen llogaritë, për merkaton e janarit. Trajneri Ardian Mema ka një punë të vështirë, për të korrigjuar të gjitha gabimet që janë bërë deri më tani, në mënyrë që në dy fazat e mbetura, skuadra 24 herë kampione të mos rrezikojë rënien nga kategoria. Nuk do të jetë një mision i lehtë, por jo i pamundur, pasi tekniku aktual është një presion i familjes dhe e njeh fanellën.

Numri një i stolit të bardhebluve ka folur për mediat pas ndeshjes, ku ka komentuar ndeshjen me Flamurtarin, por dhe situatën në tëri në klubin ku ai punon. Mema është i qartë me idetë e tij, por e pranon se duhet që të ketë lëvizje në janar, në mënyrë që klima të ndryshojë.

Profesor, tani fati ishte Idrizi për ju?
-I thashë, më ka dhuruar kartolinën më të bukur për këto festa të fundvitit. E falënderoj, pasi kemi goxha marrëdhënie miqësore mes nesh. Erdhi dhe më takoi, ndaj e falënderoj shumë. Është një njeri fantastik.

Çfarë do kishit bërë sot nëse nuk do ta fitonit ndeshjen, kur kishit shtatë-tetë raste?
-Kjo ka qenë edhe në ndeshjet e kaluara. Ne pjesën e parë thjeshtë kemi pasur raste, pasi nuk është se kemi luajtur ne. Kundërshtari ishte më mirë se ne pjesën e parë, në pjesën e dytë pashë një karakter sportiv që i ka munguar Tiranës prej vitesh.

A i morët shpërblimet prej ndryshimeve në formacion?
-Të them të drejtën ishte një ndryshim i sforcuar, pasi Imami në karrierën e tij nuk është se ka luajtur qendërmbrojtës. Gjithsesi ne mund ta përgatisim edhe për këtë pozicion. Ka luajtur mirë, ka luftuar. Në çdo rol ku trajneri të vendos, duhet  të bësh maksimumin. Kjo edhe nëse nuk është pozicioni yt natyral.

A e takuar Dajën pas ndeshjes?
-Të them të drejtën do e takoj pastaj (gjë që ndodhi pas konferencës). Gjatë gjithë kohës isha në stres, po meditoja fitoren.

Sa ndikuan fjalët e Halilit e kjo fitore e Tiranës?
-Të them të drejtën ndryshon goxha klimën, por futbollistët ato cilësi fizike kanë, ato cilësi tekniko-taktike kanë. Nuk është se ndryshohen gjërat me fjalë. Por megjithatë mund të ketë pasur ndryshime në anën psikologjike.

Dhurata e parë erdhi, tani prisni dhuratën e dytë në merkato…
-Realisht duam lojtarë që të vijnë te Tirana e të bëjnë diferencën. Nuk thërras lojtarë të të njëjtit nivel. Kam parë 10-15 lojtarë këtë periudhë. Do ndërhyjmë se s’bën të paktën në një ose dy pozicione, që nuk mund t’ua them dot.

A ju vuri në presion fitorja e Kamzës?
-Të them të drejtën secili i bën hyzmetin ndeshjes së vet, kundërshtari atë punë ka. Edhe ai do të fitojë dhe të marrë ato tre pikë që mori. Mendoj se kampionati do bëhet shumë më i fortë, sidomos faza e tretë dhe e katërt. Ne duhet ta kalojmë zonën e ftohtë. Nuk mund të vazhdohet në këtë zonë kur ekipi luan mirë. Pra ndeshjet që i kemi zhvilluar kemi qenë superiore ndaj kundërshtarit. Atëherë themi se puna jonë tregon se nuk ka ekipe të dobëta e të forta, por ka lojtarë që duhet të jenë të përqendruar dhe ta japin maksimumin në fushë.

Nuk pësuar gol ndaj Flamurtarit. A është një pikënisje kjo ndeshje për Tiranën?
-Shpresoj të jetë kështu, pasi është shumë e rëndësishme të jetë një pikënisje. Gjatë gjithë kohës e kemi pritur këtë fitore. Triumfuam ndaj një ekipi që është në pozicionet e sipërme në tabelë, pra do të thotë që ne kemi mundësi të fitojmë ndaj çdo ekipi të kampionatit shqiptar.

Kishit në stol disa lojtarë si Karabeci, Lika, Daja etj. I druheni krijimit të një klime jo të mirë nga kjo?
-Në futboll di të them diçka. Unë e kam filluar dhe e kam mbaruar sportin. Secili ka atë ciklin e vet. Unë nuk di të them, pasi çdo lojtar te Tirana është i rëndësishëm, qoftë Karabeci, Lika apo dikush tjetër. Ata do të jenë pjesë të ekipi, pasi skuadra ka nevojë për ta. Por do luajë ai që do të jetë më i gatshëm dhe që mendoj unë, pra kush është më në formë për momentin.

/VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *