Vetë trajneri Ardian Mema e vuri në diskutim vazhdimësinë e tij në krye të Tiranës. Trajneri i bardhebluve u shpreh se sfida me Luftëtarin mund të ketë qenë e fundit për të. Një situatë jo e mirë, pasi Mema ka vetëm pak kohë që ka marrë drejtimin e 24-herë kampionëve të vendit.
Gazetari i “Supersport”, Gjergji Stefa, në emisionin “Gol pas Goli” tregoi se ditën e sotme ka pasur një takim mes drejtuesve të Tiranës dhe trajnerit Mema. Pas bisedës që kanë pasur drejtuesit dhe timonieri, ky i fundit ka marrë besimin e presidenti Halili.
Kjo periudhë pushimi pritet që t’i shërbejë për mirë bardhebluve që po kalojnë një moment mjaft të vështirë dhe duhet të reagojnë, nëse nuk duan që të rrezikojnë rënien nga kategoria. Pas 12 javësh, kryeqytetasit kanë grumbulluar 10 pikë deri tani, duke u pozicionuar në vendin e tetë.