Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, u shpreh mjaft i gëzuar për fitoren 1-3 të Tiranës në Laç. Në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” tekniku i bardheblu foli mbi këtë triumf të tijve dhe nuk munguan as disa fjalë për të ardhmen.
“Gjëja që kërkova në analizë gjatë gjithë javës, ishte pjesa e gjakftohtësisë. Duhet të ishim shumë të qetë, pasi dy ndeshjet e fundit na kishin dëmtuar. Duhet ta kalonim këtë ndeshje me sukses dhe me qetësi, pasi Laçi ka një fushë shumë të fortë dhe është një ekip i shkëlqyer paravarësisht ndeshjes së sotme. Këto javë, të gjithë kemi qenë në stres dhe ka qenë e vështirë të riktheheshim te rezultatet pozitive. Tirana gjatë gjithë kohës ka pasur oshilacione.
PENALLTITË – “I kam provuar lojtarët të gjuajnë dhe i kam thënë presidentit që asnjë nuk di t’i gjuajë. Kjo është për të qarë e për të qeshur, Ma tha se do vinte vetë t’i shikonte. I gjithë problemi është ana psikologjike. I kam stërvitur mirë. Kur kam parë se si i gjuajnë penalltitë, që është hall i madh, pasi kemi edhe finalen që mund të shkojë në penallti. Te ekipi ynë, nuk di asnjeri të godasë penallti (qesh). I gjithë problemi është te ana psikologjike, pasi penalltitë i kemi stërvitur mirë. Po zgjatemi te penalltia, pasi realisht është hall i madh te Tirana. Kemi dhe finalen e Kupës dhe ka mundësi të shkojë me penallti”.”.
E ARDHMJA – “Të mbarojë sezoni njëherë. Është viti im i parë si trajner. Nëse do vazhdoj do kem një projekt shumë të mirë dhe kjo do të jetë e panegociueshme”.