Kualifikimi në finalen e Kupës së Shqipërisë nuk është pritur me festë te Tirana. Në intervistën në fund të ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli”, trajneri i Tiranës, Ardian Mema, preku disa nga problematikat që ekipi i tij shfaqi në këtë 90-minutësh.
“Gjatë lojës, kam qenë shumë i pakënaqur me atë që lojtarët dhanë në fushë. Do të bëjmë një analizë të thellë, pasi na presin dy ndeshje shumë të vështira përballë Skënderbeut dhe Kastriotit. Nëse nuk do të lëviz që të bëj siç duhet me lojtarët e mi, problemet do të jenë evidente, siç ishin dhe sot”.
GOLAT E PËSUAR – “Lojtarë gjysmë amatorë! Unë nuk e di, nuk e mendoj se kemi falur ndeshjen, por falje kemi bërë pafund. Na kanë quajtur ekip i brishtë, por nuk është e vërtetë kjo gjë. Neve i krijojmë problemet te vetja jonë. Kam qenë shumë i nervozuar pas ndeshjes. Nuk mund të fal gabime të tilla dhe mezi po pres të vijë dita e nesërme që të analizojmë të gjitha gabimet”.
PRESIONI – “Mendoj që nuk po i bej presion futbollistëve, por jam i drejtë. Të vjen keq nga e vërteta, por lojtarët nuk duhet të bëjnë më gabime siç kanë bërë. Pjesë e imja është analiza me video. Shpeshherë i lejoj të flasin vetë, pasi unë nuk merrem me gabime që ndoshta dhe fëmijët nuk mund të bëjnë ato gabime. Unë më mirë jam i ashpër, sesa të gënjej. Me futbollistët duhet një komunikim shumë i mirë dhe sa më realist. Në moment që tolerohet, do na kthehen hallet mbrapsht”.
SHERRI TE PENALLTIA – “Një nga gjërat që cakton një trajner para ndeshjes, është kush do të godasë penalltinë. Në momentin që e vënë të gjithë dorën te topi, unë nuk mendoj gjë tjetër veç amatorizmit. Kjo është ajo që më ka acaruar më shumë. Futbollistët që shkojnë e marrin topin për të gjuajtur, janë fëmijë dhe amatora. Ndoshta në të ardhmen, do t’i lej të caktojnë vetë, pasi mesa duket qenkam i tepërt”.
GABIMET – “Kur vjen mesfushori para mbrojtjes thjesht për të tërhequr kundërshtarin, portieri duhet ta dijë mirë se ku duhet të pasojë, majtas ose djathtas. Por të falësh topa, si portieri, ashtu dhe Maveje, është e pafalshme! Sepse aty mund të kishte mbaruar loja 1-1 dhe nëse nuk do të ishim me fat, do të eliminoheshim”.
DERBI – “Jo jo, nuk i kemi harxhuar golat sot. Në derbi do e përgatisim ndeshjen ndryshe dhe shpresoj me një rezultat pozitiv”, tha Mema.