Melo, Kukësi tani ka një “xhol” në skuadër

Uilliam Kordeiro Melo la Brazilin këtë verë për të nisur një eksperiencë të re në Europë, ku Kukësi e bindi që të vishte fanellën e nënkampionëve. 25-vjeç, karrierë e pasur dhe në rolin e një mbrojtësi të djathtë. Jo vetëm kaq, por në fund të merkatos, Melo rezultoi që të ishte lojtari më i shtrenjtë që kishte Kategoria Superiore.

Edhe pse kuksianët e morën për të mbuluar boshllëkun në krahun e djathtë, ku u larguan Zhderiç dhe Idrizi, Melo tek Kukësi gradualisht po kthehet në një lojtar të reparteve ofensive. Cungu e përshtati menjëherë sapo erdhi tek verilindorët si një mesfushor të majtë. Ishte disi e pazakontë që një mbrojtës i djathtë të luante në një pozicion aq larg rolit natyral, por 25-vjeçari i theu pritshmëritë, pasi u adaptua mjaft shpejt.

Në ndeshjen e djeshme me Kamzën në Shkodër, u vu re se Melo dhe Rexhinaldo u ndërronin shpesh me njëri tjetrin, me braziliani që ishte një nga lojtarët më të rrezikshëm për portën e Avdylit. Befasi deri diku, por sërish bëri mirë, duke dhënë asistin për Shametit.

Një lojtar që nga mbrojtës i djathtë përfundon si anësor ofensiv apo dhe sulmues qendre normalisht që do ishte luks për ?5do skuadër. Kukësi ka një “xhol” të ri, që mund ta ndihmojë skuadrën në momentet që ka nevojë, por klubi mund të fërkojë duart për të parë nëse në drejtim të tij do të vijë ndonjë ofertë e volitshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *