Me Sane dhe Gabriel Zhezus në fushë, Mançester Sitin e kualifikon rezerva “e harruar”

Pavarësisht surprizave që kishte rezervuar deri më tani Kupa e Ligës në Angli, Mançester Siti nuk i lë asgjë rastësisë. Madje, edhe në rastet kur Pep Guardiola nuk hedh në fushë formacionin më të mirë. “Sitizëns” fituan 2-0 përballë Fulham dhe u kualifikuan në çerekfinalet e turneut.

Te Mançester Siti, luajtën titullarë në sulm Gabriel Zhezus dhe Sane, por ndeshja u zgjidh nga Brahim Diaz. 19-vjeçari spanjoll i cili është pjesë e rezervave të harruara të skuadrës, por që realizoi dy rrjetat e fitores. Mesfushori zhbllokoi ndeshjen në minutën e 18-të, pas asistit të Vinsent Kompani, ndërsa në të 65-ën hipotekoi suksesin dhe kalimin e turit.

Ai i Diaz është një rast unik, edhe sepse lojtari nuk numëron asnjë ndeshje në këtë sezon të Premier Ligës, ndërsa ka luajtur vetëm 54 minuta në turnin e mëparshëm të Kupës së Ligës, plot një muaj më parë, si edhe pak minuta në ndeshjen e parë të sezonit, Superkupën e Anglisë, të fituar nga Mançester Siti përballë Çelsit.

Një shëtitje ajo e “sitizëns”, përballë një rivali në krizë të plotë në kampionat dhe që kishte pak ambicie për të vazhduar turneun. Tashmë skuadra e Guardiolës do të presë të mësojë rivalin e radhës, që do të jetë fituesi i duelit ndërmjet Leister dhe Sauthampton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *