Ndeshjet e “Nations League” ndaj Skocisë dhe Izraelit po afrojnë dhe trajnerit të kombëtares tonë i duhet të bëjë mirë llogaritë, pasi situata është larg optimales. Një pjesë e mirë e lojtarëve kanë hasur probleme me dëmtimë të ndryshme dhe nuk janë kthyer në ritmin e lojës, ndërsa sulmuesit tanë nuk po tregohen dhe aq produktiv. Por, nuk ka vetëm lajme të këqija për teknikun italian.
Një ndër problematikat më të mëdha të kombëtares gjatë muajve të fundit ka qenë roli i mbrojtësit të majtë. Vendimi i Panuçit për të nxjerrë në “pension” Ansi Agollin nuk kaloi dhe aq lehtë. Por, zgjidhja e këtij problemi duket se vjen nga Suedia, dhe pikërisht tek ekipi i Malmos, ku luan 22-vjeçari Egzon Binaku.
Binaku luajti një 90-minutësh të plotë në ndeshjen e skuadrës së tij ndaj Trelleborgut. Malmo fitoi me rezultatin 3-0 dhe mbrojtësi i kombëtares tonë siguroi dhe një asist. Binaku u grumbullua për herë të parë me kombëtaren tonë për miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës, por një dëmtim i hoqi mundësinë e debutimit. Le të shpresojmë që në shtator të ketë pak më shumë fat.