Javën e shkuar Seria A kujtoi Davide Astorin, i ndarë nga jeta një vit më parë, ndërsa sot prokuroria e Firences ka mbyllur hetimet për vdekjen e kapitenit të Fiorentinës.
Sipas hetuesve, dy mjekë, Françesko Stagno e Xhorxhio Galan, janë përgjegjës për vrasje pa dashje. Stanjo, drejtor sanitar në Institutin mjekësor të sportit në Kaliari, dhe Galanti, drejtor sanitar i Qendrës së referimit të mjekësisë në sport në Firence, akuzohen për dhunim të “protokolleve kardiologjike për gjykimin e aftësisë fizike për t’u marrë me sport”.
ASTORI, SHKAQET E VDEKJES DHE HETIMI – Vdekja e papritur e mbrojtësit u shkaktua nga një “kardiomiopati aritmogjende diventrikolare”. Stanjo , në vitin 2014, kishte lëshuar një certifikatë që vërtetonte se lojtari fizikisht ishte i përshtatshëm për të luajtur futboll. Megjithatë, hetimet kanë evidentuar disa probleme në kontrollet të cilave u ishte nënshtruar lojtari, por problemet nuk u përmendën në raportin final.
Ndërkaq, Galanti akuzohet për certifikatat që ka lëshuar në vitet 2016 e 2017, sepse në këto kontrolle kishin dalë në dritë aritmi kardiake në provat e sforcimit.
Si Stanjo, ashtu edhe Galanti, akuzohen se nuk kanë kryer kontrolle të thelluara për origjinën dhe arsyet e problemeve të shfaqura. Sipas prokurorisë, nëse patologjia do diagnostikohej në fazën fillestare, mbrojtësi do ishte detyruar të linte futbollin dhe do ishte frenuar sëmundja.